Politike

Rezoluta antiruse ndez debatin edhe brenda socialistëve

Bledar Hoti - Projektrezoluta e paraqitur nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së, “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare” shkaktoi debate të forta mes socialistëve në mbledhjen e Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlament. Dokumenti i hartuar edhe i cilësuar si pjesë e rezolutë antiruse, u mbrojt nga iniciuesi, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili prezantoi rrezikun që mund të ketë Shqipëria si nga ndërhyrjet nga jashtë, apo rreziku i dezinformimit të lajmeve.
Balla paraqiti edhe nevojën për të miratuar këtë rezolutë, duke dhënë si referencë edhe faktin se Parlamenti Europian e ka shprehur një gjë të tillë. Balla tha se “është kundër atyre që deklarojnë se Shqipëria është imune ndaj ndërhyrjeve të Rusisë”.

Deputeti i PS-së, Taulant Balla duke mbrojtur nismën në komision për miratimin e rezolutës antiruse. Gazeta Si, 5 nëntor 2019

Deputeti i PS-së, Ervin Bushati ka qenë pro kësaj rezolute dhe u shpreh se “është vërtetuar që propaganda false e financuar në mënyrë të dëmshme në rajonin e Ballkanit synon të dëmtojë procesin e integrimit në Bashkimin Europian”.

Qëndrimi i mbajtur nga ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati solli edhe përplasjet më të forta në komision. Ai kërkoi që përpara se të paraqitet një dokument i tillë duhet të kishte një konsultim me qeverinë dhe me organet e specializuara. “A është konsultuar kjo iniciativë me qeverinë? Duhet të kemi një opinion të firmosur nga qeveria shqiptare. Është njësoj sikur një nga ne deputetët të marrë një nismë dhe të propozojë që tatimi mbi vlerën e shtuar të hiqet fare dhe të mos ketë një opinion nga qeveria që është gardiani i buxhetit. Qeveria shqiptare është institucioni përgjegjës. Nuk dua t’i hyj këtij diskutimi, sepse unë pa pasur qëndrimin e qeverisë shqiptare nuk dua që të hyj në ujëra të turbullta. Sepse një deputet i vetëm, edhe nga mazhoranca për më tepër nuk mund të ndryshojë objektivat dhe shtyllat se strategjisë sonë kombëtare”, theksoi ish-kryediplomati. Ai kërkoi zhvillimin e një debati me dyer të mbyllura për këtë çështje, pa praninë e medias.

Mbledhja e sotme komisionit të Politikës së Jashtme, Gazeta Si, 6 nëntor 2019


Bushati paralajmëroi se përpara miratimit të rezolutës, Shqipëria duhet të ketë kujdes pasi në vitin e ardhshëm, merr presidencën e radhës së OSBE-së, ku bën pjesë edhe Rusia dhe se fillimisht duhet të merret mendimi i Trojkës, të shteteve si Sllovakia dhe Italia. “Ne na është besuar njëzëri drejtimi i presidencës së OSBE-së, ku kanë votuar edhe anëtarë me peshë dhe ndikim në OKB”, theksoi Bushati, duke nënkuptuar se edhe Rusia ka qenë pro marrjes së kësaj presidence.
Edhe deputeti i opozitës Ralf Gjoni e cilësoi dokumentin jo të hartuar në mënyrë të rregullt: “Nuk kam parë një argument kaq të dobët e të pabazuar për një çështje kaq madhore”. Ai shtoi se duhej të kishte informacione nga institucione të specializuara, si SHISH.

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Gazeta Si, 6 nëntor 2019


Porl shefi i grupit të PS-së, Balla iu drejtua deputetëve dhe ish-ministrit Bushati se nëse kanë ndonjë sugjerim për përmirësimin e tekstit mund ta paraqesin dhe se Komisioni i Politikës së Jashtme nuk është përgjegjës, por ai i Sigurisë. "Dua t’ju them që të mos bëjmë sikur fshihemi pas gishtit, kur sot në prokurori ka një hetim ndaj një subjekti elektoral, ndaj një partie politike, lidhur me burime e financime të dyshimta, sipas investigimit të “Mother Jones”, pas së cilës qëndrojnë financime ruse. Si ka mundësi që PD merr nga “Beniatta Trade” 500 mijë USD për lobimin e saj? Kjo tregon se legjislacionin nuk e kemi në rregull. Nuk e kapën organet tona ligjzbatuese, por një investigim si i "Mother Jones", tha Balla.


Ish-kryediplomati Bushati është treguar më i drejtpërdrejtë duke theksuar se "një vend serioz nuk e përmend në rezoluta emrin e ndonjë shteti tjetër dhe se Shqipëria është shtet anëtar i NATO dhe jo dordolec". “Kjo nuk është politikë, kush kujton se kjo është PS-PD-LSI e ka gabim. Për mua Lulzim Basha nuk ekziston fare. Nuk mund të marrim si referencë Lulzim Bashën. Edhe sikur 10 palë zgjedhje të bëjmë, ne do ta mundim Lulzim Bashën. E ka thënë vetë Edi Rama publikisht, se nuk i qërojmë hesapet ne politikisht me Lulzim Bashën duke përdorur aktorë të tjerë. Ne si Komision duhet të kishim rolin kryesor në këtë proces, jo për dhënie mendimi. Koha kur ne i shpallin luftë shteteve të ndryshme ka përfunduar në 8 dhjetor 1990. Më duroni zonja Kodheli se e kam të nevojshme t’ju them, se jemi vend anëtar i NATO-s, nuk është vend dordolec. Dhe ju keni bërë dy vite për të lëvizur me ministrinë e Mbrojtjes nga aty ku ishit, nga Bulevardi te Shkolla e Bashkuar, sepse është vend anëtar i NATO-s dhe se kishte infrastrukturë dixhitale aty dhe se duhej certifikuar nga dikush tjetër. Unë po ju them që na duhet qasje kombëtare për këtë proces. S’mund të dalim jashtë kësaj tradite”, theksoi ish-kryediplomati.


Edhe deputetët e opozitës si Ralf Gjoni dhe Rudina Hajdari ishin kundër këtij drafti dhe kërkuan tërheqjen mbprasht të draftrezolutës, për t'u ripunuar. Për Gjonin problemi kryesor janë paratë e krimit të organizuar që po ndërhyjnë në politikë, ndërsa për Hajdarin rezoluta nuk përkon me situatën në Shqipëri.
“Është huazuar nga BE, që nuk na përket fare ne si vend. Rasti i kryetarit të PD është se po hetohet nga prokuroria me këtë çështje dhe nuk ju takon juve të ndërhyni. Në kushtet e sotme, po bëni rezolutë në thelb kundër shefit tuaj (Ramës), është për një lider në Shqipëri që është autokrat. Pse duhet të kesh frikë? Të kemi nevojë e frikë ne, kur ne si popull mbështesin në masën 98% BE e SHBA; nga se duhet të kemi frikë ne?”, theksoi Hajdari.

Pavarësisht këtyre qëndrime dhe fakti se duhet të ishte Komisioni i Politikës së Jashtme si përgjegjës, kryekomisionerja Mimi Kodheli e hodhi për votim në parim rezolutën, duke i ftuar deputetët që të propozojnë përmirësimet e tyre në Komisionin e Sigurisë. Në procesin e votimit deputetët e opozitës Hajdari dhe Gjoni nuk morën pjesë fare. Nga mazhoranca, Bushati nuk preferoi që ta votonte këtë propozim të Kodhelit, pasi i qëndronte argumentit për rishikimin e tekstit që ishte “copy paste” e rezolutës së PE dhe të njihej me qëndrimin e qeverisë shqiptare. Por pro nismës votuan edhe disa deputetë të opozitës si Karamelo dhe Shtjefni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë