Futboll

Revolucioni i dështuar i Gatuzos, Milani shkatërroi gjithçka në 40 ditë

Ivan Xhenaro Gatuzo e provoi, vuri një bast të rrezikshëm dhe e humbi. E dinte që Milani i tij nuk ishte shëruar nga “sëmundja” që e ka kapur prej 40 ditësh, ku ka marrë vetëm një fitore në shtatë ndeshje. Në ndeshjen me Lacion ai luajti “kartën” e revolucionit: mbrojtje me tre, e aplikuar vetëm në tri ndeshje të këtij sezoni, aktivizoi Kaldarën pas shtatë muajsh, Paketa në stol dhe dy sulmues në 30 minutat e fundit. Megjithatë, edhe dyshja Piatek-Kutrone nuk e prishi “magjinë” dhe Milani doli nga Kupa e Italisë me vetëm dy gjuajtje në portë në 93 minutat e ndeshjes me Lacion.

Do të ishte e padrejtë të kritikosh vetëm dy sulmuesit, që dikush duhet t’i furnizojë me topa. Në fakt, është e vështirë të veçosh individë të caktuar si fajtorë për gjendjen e Milanit, ndaj dhe tifozëria kërkon me zë të lartë largimin e trajnerit Gatuzo. Problemi është pikërisht drejtuesi teknik i skuadrës, sepse Milani i ndërtuar ashtu si trajneri ka dashur, kompakt dhe me karakterin e tij, u zhduk dhe çoi dëm gjithë punën e bërë në muajt e mëparshëm, duke rrezikuar vendin e katërt në kampionat dhe duke u eliminuar nga Kupa e Italisë, ku kishte ardhur me meritë deri në gjysmëfinale.

Gatuzo dhe Inzagi para ndeshjes Milan-Lacio 0-1

Pa lojtarë që dinë të zgjidhin ndeshjen, - pa harruar këtu kontributin e Leonardos në janar me Paketën edhe Piatek, - është shumë e vështirë të bësh ndryshimin e madh në momente të tilla dhe të ta aplikosh modulin e ri të lojës me lojtarët që kanë luajtur më pak gjatë sezonit. Duket shumë i vështirë gjithashtu një ndryshim trajneri pesë javë para fundit të kampionatit dhe objektivi i fundit që i ka mbetur Gatuzos është të mbajë vendin e katërt, që e çon Milanin në Champions. Vetëm me kualifikimin në Champions League trajneri mund të konfirmohet.

Tani duhet më shumë punë me mendjen se me këmbët e lojtarëve. Ndonjëherë në futboll mjafton shumë pak për të ndezur një shkëndijë. Mund të ndodhë kjo me rikthimin e Paketës, për shembull, me një fitore të mundshme në fushën e Torinos, apo edhe me rikthimin te skema 4-3-3 me lojtarët e duhur. Tani trajneri Gatuzo duhet të punojë me shpirtin, ndërgjegjen dhe dëshirën e futbollistëve. Nëse e bën këtë si duhet, gjithçka tjetër do të jetë më e lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë