Kombetarja

Revanshi i Gjimshitit/ Iku kokëulur në 2016-ën, tani në Europian me krenarinë e kapitenit kuqezi

Gazeta Si – Nga më ‘të vjetrit’ në Kombëtare, por në Europian edhe ai shkon për herë të parë. Berat Gjimshiti mbeti jashtë liste në 2016-ën, kur kuqezinjtë shënuan pjesëmarrjen e parë historike në një kompeticion madhor.

Ai, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Herolind Shala u shkurtuan në momentin e fundit nga trajneri i atëhershëm, Xhani De Biazi. Ajo foto e të katërve, teksa linin Kombëtaren, ka mbetur ende e stampuar në sytë e tifozëve kuqezi. Rashica, Rrahmani dhe Shala kaluan te Kosova, Gjimshiti qëndroi. Dhe bëri shumë mirë. Ja ku erdhi momenti i revanshit të mbrojtësit shtatlartë…

Me shiritin e kapitenit në krah Berat Gjimshiti do të jetë në Europianin e Gjermanisë verën e ardhshme. Moment krenarie për vetë lojtarin, por edhe për tifozët, të cilët e duartrokasin teksa e shohin në fushë të bëjë liderin e Shqipërisë. Për lojën patjetër, por më shumë për karakterin e tij.

Berat Gjimshiti uli kokën kur mësoi se nuk do të ishte në Francë 2016, nuk bëri ansjë polemikë. Vazhdoi punën e tij me këmbëngulje dhe ja ku arriti sot: kapiten i një Shqipërie të bukur për t’u parë dhe komeptitive, sigurisht.

Momenti kur Gjimshiti u largua nga Kombetarja, pasi mbeti jashte liste ne 2016-en. Gazeta Si, 18 nentor 2023

Mbrojtësi ka marrë atë që iu mohua 7 vite më parë, padrejtësisht për shumicën e futbolldashësve shqiptarë. Pati një diskutim të ndezur në atë kohë se Gjimshiti e meritonte të ishte në listë para Veselit, por edhe trajnerët kanë ‘fiskimet’ dhe ‘kapriçot’ e tyre. Ky është një diskutim tjetër dhe tani pak rëndësi ka.

Berat Gjimshiti është tani ndër ‘violinat e para’ të një Kombëtareje ndryshe, me një profil shumë më simpatik dhe që nuk ka frikë nga asnjë kundërshtar. Lojtari më patriot për nga emri, e tregoi me vepra se është po aq patriot edhe ndaj fanellës kuqezi. Zoti dhe futbolli i dhanë atë që meritonte, ndoshta më shumë se gjithë të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë