Ekspozite

Restaurohet “Mësonjëtorja e parë shqipe”, hap dyert për vizitorët

Pas muzealizimit dhe restaurimit është çelur sërish Muzeu “Mësonjëtorja e parë shqipe” në qytetin e Korçës.

Gjatë inaugurimit të kësaj ndërhyrjeje të bërë në godinën që shërbeu si shkolla laike shqipe nga 7 marsi i vitit 1887, ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti, bashkë me deputetin dhe ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe kryetarin e Bashkisë, Sotiraq Filo.

Shkolla e parë shqipe ka 7 ambiente ekspozimi që iu nënshtruan restaurimit të plotë. “Për të gjithë skeptikët dhe të shqetësuarit për Mësonjëtoren, ju lë këto pamje që dëshmojnë ndryshimin”, shkruan ministrja Margariti në Facebook.

Ndër të tjera, ministrja gjatë inaugurimit ka shpjeguar dhe arsyet e zhvendosjes së obeliskut ABC nga pjesa qendrore e oborrit në atë anësore.

“Keq kur vë beton dhe keq kur heq beton. Indinjatën e kam dëgjuar nga pak persona, nuk i është hequr asgjë nga vlera që mbart simboli i një vepre të tillë artistike, ajo është kthyer në një element akoma më të vyer për momentin, ndërsa në këtë hapësirë tashmë çdokush mund të ulet dhe të diskutojë dhe të shpreh me shumë mbi dijen e mësonjëtores”, mësohet të jetë shprehur Margariti.

Projekti i restaurimit të Mësonjëtores së Parë Shqipe ka kapur vlerën e 30 mln lekëve të reja. Investimi përfshiu ndërhyrjen për rikonstruksionin e ndërtesës, por edhe për rikonceptimin e saj.

Muzeu i Mësonjëtores së parë Shqipe në Korçë u mbyll për vizitorët pas tërmetit të 1 qershorit 2019. Çarja e mureve dhe rreziku që godina dykatëshe historike paraqiti pas tërmetit, e bëri edhe më të domosdoshme ndërhyrjen për restaurimin e plotë të saj.

Muzeu Kombëtar i Arsimit është një institucion i rëndësishëm jo vetëm për Korçën, por për gjithë historinë e arsimit shqip.

Mësonjëtorja e Parë Shqipe në Korçë, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit, është monument i kategorisë së Parë i shpallur në vitin 1973. Kjo ndërtesë ishte shtëpia ku banonte patrioti korçar Diamanti Terpo, i cili e dhuroi banesën për shkollën shqipe, e hapur më 7 mars 1887 nga ana e mësuesit patriot Pandeli Sotiri.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, si dhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë