Ka ndodhur

Borë në veri dhe verilindje, vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Shirat e rrëshqitjet e gurëve bllokojnë rrugë në disa qytete (foto, video)

Moti i keq është rikthyer këtë fundjavë në të gjithë territorin e vendit. Prej dy ditësh po bien me reshje intensive shiu, por prej dy ditësh edhe me reshje dëbore, veçanërisht në veri.

Ditën e sotme reshjet e dëborës kanë nisur dhe në Qarkun e Shkodrës, por situata nuk është problematike. Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci njofton se borëpastrueset dhe punëtorë të bashkisë Shkodër janë në terren duke pastruar vazhdimisht aksin Bogë-Theth, në Qafë Thorë.

Drejtoria e Autoritetit Rrugor, Rajoni Verior Shkodër, informon se rruga për në Theth është e hapur. Punëtorët me mjete e borëpastruese kanë punuar gjithë natën dhe vazhdojnë edhe momentalisht punën.

Në verilindje të vendit dhe kryesisht në Qarkun e Kukësit, reshjet e borës që kanë përfshirë njësitë administrative Arrën, Kalisë, Gryk Çajë, Bushtricë, Topojan, Zapot nuk kanë shkaktuar problematika në qarkullimin e automjeteve dhe banorëve.

Edhe në Rrugën e Kombit kanë nisur reshjet e dëborës, ku për pasojë të prezencës se akullit ka ndodhur edhe një aksident.
Në segmentin Fan-Kolsh ka prezencë të borës e akullit.
Siç shihet nga pamjet e mëposhtme, një automjet ka dalë nga rruga afër traut duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, fatmirësisht pa lëndime në njerëz.

Temperaturat në këto zona kanë zbritur deri -1 gradë.
Ulja e temperaturave dhe reshjet e borës mendohet të ketë shkaktuar probleme në frutikulturë, shumë pemë frutore në këtë periudhë janë në fazën e lulëzimit. Ndërsa në lartësitë nën 700 metër reshjet e shiut kanë sjell probleme në akset nacionale rrugore.

Bora ka shtruar edhe në Fushë Arrëz, siç shihet nga video e mëposhtme:

Problematikat janë shënuar në rënien e gurëve e dherave, më problematike janë paraqitur akset nacionale Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi, Kukës-Qafë Mali, Has-Kam-Tropojë e Bajram Curri-Fierzë, pasi në këto akse ka prezencë të rënieve të gurëve.
Gjithsesi situata është nën kontroll nga punonjësit e firmave mirëmbajtëse duke larguar gurët e dherat dhe mbajtjen në funksion të rrugëve.

Ulja e menjëhershme e temperaturave ka bërë që fshati turistik Fushë-Studën në Librazhd, të zgjohet nën pushtetin dhe magjinë e reshjeve të dëborës.

Mëngjesi i së dielës ka sjellë reshjet e dëborës në qytetin e Peshkopisë. Temperaturat janë ulur në vlerat 0 gradë celcius. Në zonat malore mbi 700 metra, ka mbi 5 centimetra borë, ndërsa në qytet nuk ka vënë shtresë. Në baypassin e Murrizit dhe në aksin Peshkopi-Kukës, nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve.

Rrugën e Arbrit, qarkullimi i automjeteve është vështirësuar më së shumti nga Bulqiza në drejtim të Urës së Vashës.
Intensiteti i lartë i reshjeve ka bërë që trashësia e borës të arrijë deri në 5 centimetra, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë gjendur të papërgatitur.
Autoritetet vendore u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregohen të kujdesshëm.
Policia Rrugore e Dibrës ka dalë në pikat kyçe ku mund të ketë probleme, duke këshilluar drejtuesit e mjeteve që të ulin shpejtësinë dhe të tregohen të kujdesshëm.

Juglindja këtë të diel është përfshirë nga reshjet e shumta të shiut. Gjithashtu dhe akset e fshatrave turistik Dardhë dhe Voskopojë janë nën intensitetin të mesëm dhe të lartë të shiut. Aktualisht nuk raportohet të ketë probleme me energjinë elektrike apo në qarkullimin e automjeteve.

Përmbytjet sot në Vlorë

Ndërkohë Vlora është përfshirë nga reshje të dendura të shiut mëngjesin e së dielës. Mediat lokale raportojnë se për shkak të reshjeve, ka pasur probleme në disa akse kryesore. Qarkullimi i automjeteve është bllokuar nga prania e ujit në lagjen “Rilindja”, apo siç njihet në Vlorë rruga pranë “Albano dhe Rominës”.

Reshjet e shiut që kanë vijuar disa ditë resht kanë sjell problematika në aksin rrugor Berat-Poliçan dhe Poliçan-Skrapar. Rrëshqitjet e gurëve dhe të dherave nga shpatet e malit përgjatë këtij aksi kanë sjell problematika në qarkullimin e automjeteve. Në aksin Vodic-Poliçan si dhe Polçan-Bogovë rreziku është më i madh pasi gurët mund të shkaktojnë aksidentimin e mjeteve të cilat qarkullojnë në këtë zonë. Nga rëniet e gurëve, njëri krah i rrugës është pakalueshëm ndërsa mjetet ikin në njërin sens të kundërt. Policia e qarkut Berat dhe Poliçan si dhe e Skrapar janë të pranishme për të shmangur çdo aksident, si dhe mësohet se në terren kanë dalë brigada e shërbimit pranë Bashkisë së Poliçanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë