Kombetarja

Rënie kuqezi, më pak lojtarë të Kombëtares në Kupat e Europës

Skena tashmë është për futbollin e nivelit të lartë. Në fushë zbresin skuadrat më të mira europiane të Champions League dhe Europa League. Është ajka e futbollit europian dhe përveç skuadrave më të cilat janë tifozë, futbolldashësit në Shqipëri kanë interes edhe për skuadrat, ku aktivizohen lojtarët e Kombëtares sonë. Dhe është fakt që këtë sezon ka më pak Shqipëri në kompeticionet europiane se në sezonin e fundit. Jo vetëm se nuk ka asnjë ekip shqiptar në fazën e grupeve, siç ishte Skënderbeu sezonin që shkoi në Europa League, por edhe lojtarët e Kombëtares nuk janë të pranishëm si më parë me klubet e tyre.

Këtë sezon nuk do të shohim të luajë në Europë Taulant Xhakën, mesfushorin e Kombëtares që ka qenë “i abonuar” me Bazelin e tij në Champions League. Skuadra e madhe zvicerane nuk është më ajo e viteve të fundit, pasi ka shitur shumë lojtarë cilësorë dhe ka humbur në cilësi, ndaj dhe është eliminuar. Një tjetër mungesë e madhe në ndeshjet europiane do të jetë portieri Etrit Berisha, i cili sezonin e fundit ishte protagonist me Atalantën. Berisha në fakt ka humbur edhe vendin e titullarit te skuadra nga Bergamo, që këtë sezon nuk është pjesëmarrëse në Europa League, kështu që edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti e ka humbur shansin për të luajtur në nivelin e lartë të futbollit europian. 

Taulant Xhaka me fanellën e Bazelit

I vetmi përfaqësues kuqezi në Champions League është Elseid Hysaj. Napoli i tij e nisi aventurën europiane me një barazim pa gola në Beograd ndaj Cërvena Zvezdës. Mbrojtësi shkodran ishte titullar dhe i është dashur të përballojë vërshëllimat e serbëve gjatë 90 minutave. Si një profesionist i vërtetë, ai nuk është ndikuar aspak nga pritja aspak e këndshme e serbëve.  

Më shumë kuqezinj në Europa League, duke nisur nga kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili ka kaluar në fazën e grupeve me Karabagun e tij. Por minutat do të jenë të limituara për 36-vjeçarin shqiptar, që është në metrat e fundit të karrierës së tij. Egzon Binaku, i cili konsiderohet pasardhësi i Agollit, është një tjetër përfaqësues kuqezi në Europa League me ekipin suedez të Malmoes.

Thomas Strakosha, portieri i Lacios

Lacio është ekipi që përfaqëson më mirë edhe ngjyrat kuqezi në Europë, jo vetëm se titullar i padiskutueshëm është Thomas Strakosha, por edhe sepse pjesë e bardhekaltërve janë Igli Tare në rolin e drejtorit sportiv, si dhe Valon Berisha, mesfushori i Kosovës. Në listën e skuadrave me përfaqësues kuqezi është shtuar tashmë edhe Gllasgou Rejxhërs, pasi me skocezët e famshëm të drejtuar nga Stiven Xherard, është bashkuar pak javë më parë Eros Grezda. Kristal Abazaj është gjithashtu pjesëmarrës në Europa League me Anderlehtin, por ish-lojtari i Luftëtarit nuk po gjen hapësira te gjigantët belgë deri tani. Ndoshta shtimi i kompeticioneve mund ta ndihmojë për të pasur minuta me fanellën e Anderlehtit.

Eros Grezda, gjatë prezantimit te Gllasgou Rejnxhërs

Këtë sezon mungojnë në kompeticionet europiane Ergys Kaçe dhe Armando Sadiku, lojtarë që e kanë provuar vitet e fundit shijen e ndeshjeve ndërkombëtare me klubet e tyre. Kaçe ka luajtur në Europë me PAOK-un, por tani është pjesë e Panathinajkosit, që nuk merr pjesë në Kupat e Europës, ndërsa sulmuesi Sadiku (i dëmtuar aktualisht), ka luajtur në Europë me Zyrihun dhe Legian e Varshavës, para se të kalonte te Levante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë