Kombetarja

Renditja e FIFA, Shqipëria në rënie të lirë, Kosova fiton një pozicion

FIFA ka publikuar renditjen e kombëtareve për muajin tetor. Në klasifikimin e këtij muaji ka vijuar rënia e lirë e kombëtares shqiptare dhe trendi në rritje për Kosovën.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe për ekipin kuqezi të Kristian Panuçit pas humbjes në Izrael, ndshta ishte pritur një rënië akoma dhe më e madhe. Por ajo që ka ndihmuar deri diku Shqipëria kanë qenë rezultatet e ekipeve më poshtë, të cilat, një pjesë nuk kanë shkëlqyer dhe një pjesë tjetër nuk kanë luajtur këtë muaj. Tashmë kombëtarja e vendit tonë pas tre vendeve që humb këtë muaj renditet në vendin e 60-të, teksa është parakaluar nga Bolivia, Brukina Faso dhe Egjipti. Në ndeshjen miqësore me Wellsin pas disa ditësh, ekipi i Panuçit do të kërkojë fitoren që të paktën të evitojë rënien edhe për muajin tjetër, duke rrezikuar edhe shortin në vazo për kampionatet e ardhshme botërore dhe europiane.

Sakaq, Kosova është në “tren” të kundërt me Shqipërinë. Nëse ekipi kuqezi vijon të bjerë në tabelën e FIFA, “dardanët” janë muaj pas muaji vetëm në ngjitje të shkallëve në tabelë. Në klasifikimin e këtij muaji, Kosova ka fituar një pozicion. Tashmë skuadra e drejtuar nga zvicerani Challandes është në vendin e 137-të. Në këtë rritje të Kosovës ka ndikuar pa dyshim forma e ekipit në ndeshjet e fundit në Uefa Nations League edhe pse mund pritej një rritje me më shumë se një shkallë në klasifikim.

Ndërkohë në kreun e klasifikimit botëror nuk ka ndryshime. Belgjika vijon të mbajë vendin e parë. Kombëtarja belge ndiqet nga Franca, e cila edhe pse fitoi me Gjermaninë ka rënie në pikë, por vijon ta mbajë vendin e dytë dhe të lërë pas Brazilin, që disa javë më parë fitoi sfidën miqësore me Argjentinën. Krocia, Anglia, Uruguaji dhe Portugalia vijonë më pas në të njëjtat pozita në klasifikim. Ndërsa në 10 të parat e FIFA janë edhe kombëtaret e Zvicrës, Spanjës dhe Danimarkës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë