Është publikuar renditja e Fifa për kombëtaret për muajin gusht. Kombëtarja e Shqipërisë ka fituar një pozicion dhe tashmë është në vendin e 57, nga i 58-ti, që ishte një muaj më parë. Sakaq edhe Kosova është rritur me tre pozicione në këtë renditje dhe tashmë është në vendin e 138-të.
Në këtë rritje me vetëm një pozicion të kombëtares sonë kanë ndikuar rezultatet që ajo mori në dy sfidat e fundit në Uefa Nations League. Kjo lëvizje në tabelë për ekipin kuqezi ishte e pritshme, pas fitores në “Elbasan Arena” me Izraelin dhe humbjes në Skoci. Ndërkohë për Kosovën kjo rritje në renditje me vetëm tre pozicione ishte disi surprizë, pasi në dy ndeshje mori një fitore 2-0 dhe një barazim në transfertë me Azerbajxhanin. Gjithsesi marzhi mbetet pozitiv për përfaqësuesen dardane që premton shumë për të ardhmen.
Por surpriza e madhe në këtë renditje është në krye të saj. Sipas Fifa skuadra më e fortë për momentin është Belgjika dhe pas saj vjen kampionia e botës në fuqi Franca. Kombëtarja belge me rezultatet që mori në ndeshjet e para të Uefa Nations League ka shkuar në kuotën e 1729 pikëve, po aq sa ka edhe kombëtarja e Frances. Më tej nga vendi i dytë deri në vendin e dhjetë nuk ka ndryshime dhe mbetet siç ishte edhe për muajin korrik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.