Futboll

Rekordi, Barcelona e femrave dominon kampionatin e meshkujve

Kur flitet për Barcelonën, nuk është habi që ajo të shpallet kampione në një kampionat. E habitshme është kur një skuadër femrash e Barcelonës merr pjesë në kampionatin e meshkujve dhe i fiton të gjitha ndeshjet. Barcelona e 12-vjeçareve për femra ka regjistruar 30 fitore në 30 ndeshje, ka fituar kampionatin me 14 pikë diferencë nga vendi i dytë, ka shënuar 329 gola dhe klubi katalanas beson tashmë më shumë se kurrë te futbolli i fermrave.

Futbolli po ndryshon edhe te femrat, me sa duket. Historia e 12-vjeçareve të Barcelonës në ditën kur nis Botërori i femrave në Francë, është një dëshmi e qartë e ndryshimit që po vjen. Janë të vogla në moshë, por të mëdha në fushë, shumë të talentuara. Kantieri katalanas është një fidanishte talentesh të së ardhmes, me sa duket, edhe për futbollin e femrave. Barcelona ka vendosur këtë vit, për herë të parë, që skuadra e vajzave 12-vjeçare të luajë në kampionatin e meshkujve. Një vendim i goditur, sepse kjo skuadër në 30 ndeshje ka regjistruar 30 fitore, me 329 gola të shënuar, 121 nga sulmuesja Celia Segura (më shumë se dyfishi i golave të shënuar nga shënuesi i dytë më i mirë në kampionat). Titulli është fituar me 14 pikë diferencë, rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme dhe e kanë shtyrë klubin katalanas ta konfirmojë “eksperimentin” edhe për vitin e ardhshëm, duke bërë të njëjtën gjë edhe me skuadrën e 10-vjeçareve. Në Spanjë është e lejueshme që të përzihen skuadrat e meshkujve dhe të femrave deri në moshën 16-vjeçare.

Celia Segura, autore e 121 golave në kampionat, shënuesja më e mirë

Sipas “New York Times”, Barcelona po investon fuqishëm në futbollin e femrave. Vendimi për të futur skuadrat e moshave të femrave në kampionatet e meshkujve është bazuar në një strategji precize: t’u mësojnë teknikën dhe metodologjinë e stërvitjes edhe vajzave, duke i motivuar ato me këtë lloj futbolli. Një projekt që ka marrë vëmendjen e klubeve spanjolle, ku veç Barcelonës, po bëjnë lëvizje konkrete edhe Atletiko Madrid dhe Atletiko Bilbao.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë