Shkencë

Rekord / Zbulohet objekti 500 trilion herë më ndriçues se Dielli

Një kuazar 500 trilion herë më i ndritshëm se dielli është zbuluar nga astronomët të cilët thonë se mund të jetë vendi më i ndritshëm dhe "më i dhunshëm" në univers.

Kuazarët janë të ngjashëm me yjet, por shumë herë më të shndritshëm. Ato lëshojnë një sasi të madhe energjie në formën e dritës.

Ato gjenden pranë vrimave të zeza, në qendër të një galaktike. Për herë të parë këto objekte qiellore u pikasën në vitet 1930, kur Karl Jansky një nga astronomët më të njohur zbuloi këtë burim energjie me sasi të madhe drite.

Së fundmi, është zbuluar një kuazar 500 trilion herë më i ndritshëm se Dielli.

Vrima e zezë e madhe që e fuqizon atë thuhet se është midis 17 dhe 19 miliardë herë më e madhe se masa e diellit dhe po rritet me shpejtësinë më të shpejtë të parë ndonjëherë.

Kuazarin rekord e zbuloi një ekip shkencëtarësh nga Australia të cilët thonë se kuazarët konsumojnë sasi të mëdha gazi dhe ndryshe quhet një “uragan kozmik” pasi lëshon një energji në kufijtë e të paimagjinueshmes.

"Ky kuazar është vendi më i shndritshëm që ne njohim në univers," tha autori kryesor Christian Ëolf, nga Universiteti Kombëtar Australian.

Në fillim u mendua se ishte një yll kur u pa për herë të parë në 1980, por u riklasifikua si kuazar vitin e kaluar pas vëzhgimeve në Australi dhe shkretëtirën Atacama të Kilit.

Ekspertët thonë se lëshon aq shumë energji sa është më shumë se 500 trilion herë më i shndritshëm se dielli.

12 miliardë vite dritë larg Tokës, kuazari i emërtuar J0529-4351 është një nga zbulimet më të jashtëzakonshme deri më sot. Hulumtimi është publikuar në revistën “Nature Astronomy”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë