Futboll

Rekord negativ për Luftëtarin, kërkon trajnerin e tretë pas tri javësh

Mund të jetë rekord botëror: vetëm pas 3 javëve të para të kampionatit, Luftëtari ka ndërruar dy trajnerë dhe është në kërkim të të tretit. Klevis Dalipi, i cili kreu fazën përgatitore të verës, u largua para ndeshjes së javës së parë me Tiranën. Vendin e tij e mori drejtori sportiv Klodian Duro, që e drejtoi në 3 ndeshje dhe nuk mori asnjë pikë, kështu që dje u kthye në postin e mëparshëm dhe klubi gjirokastrit po punon për trajnerin e ri. Në ndeshjen e javës së katërt me Flamurtarin, Luftëtari do të drejtohet nga trajneri i tretë për këtë sezon.

Një situatë komike, që për ironi të fatit ndodh në një qytet që njihet për nikoqirllëk dhe jo për shpenzime pa kuptim. Nga ana tjetër, një situatë që vërteton se jemi ende shumë larg të qenit profesionistë në futboll. Një klub i Superiores duhet të ketë një strukturë të plotë dhe gjithçka bëhet në kohën e duhur për të pasur seriozitet në garë, por në Shqipëri veprimet bëhen ende si në futbollin amator. Luftëtari ishte një nga katër klubet që rrezikonin pjesëmarrjen në aktivitet, për shkak të borxheve të prapambetura, për në një farë mënyre ia doli, ose FSHF-ja e fali. Organizimi u bë vetëm pak ditë para kampionatit me shpejtësi, me drejtuesit e klubit që mblodhën lojtarë të rinj nga vendi dhe disa të huaj që erdhën nga Greqia.

Klodian Duro lë drejtimin teknik të Luftëtarit dhe rikthehet drejtor sportiv. Gazeta Si, 6 shtator 2019

Por në futboll gjërat nuk bëhen “tak-fak” dhe do të duhet kohë që ekipi të krijojë fizionominë e vet, pasi është bërë thuajse nga e para. Ndoshta në javët në vazhdim gjirokastritet do të thyejnë rekordin e vet, duke ndërruar sërish trajner. Nuk është fare çudi. Për momentin, nuk ka emra konkretë për zëvendësuesin e Duros, por një kandidat mund të jetë Ernest Gjoka, ish-trajneri i Kukësit, aktualisht pa ekip. I lirë është gjithashtu edhe Mirel Josa, ish-trajneri i Tiranës dhe Skënderbeut, që ditët e fundit është larguar nga Prishtina. Drejtuesit e Luftëtarit kanë kohë të vendosin, pasi këtë javë kampionati është ndërprerë për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë