Atletike

Rekord botëror në 5 mijë metra nga 12-vjeçarja Emer McKee

Nuk dihet se çfarë mund të bëjë kur të jetë më e rritur, por është e sigurt se ajo që ka bërë në garën e 5000 metrave është sensacionale. Të apasionuarit e atletikës janë befasuar me rezultatin e jashtëzakonshëm të arritur në Irlandën e Veriut nga 12-vjeçarja Emer McKee, e cila e ka bërë këtë distancë për kohën 16.40.

Pesë kilometra me mesataren 3.20 për kilometër është një rezultat kronometrik shumë i mirë edhe për atletet 6 apo 7 vjet më të mëdha se Emer. Është paraqitja më e mirë botërore për atletet e moshës së saj. Emer ka thyer rekordin e mëparshëm, që ishte 17.16 dhe që ishte vendosur nga Annabella Veltcheva në mars të 2017-ës në Florida. Nxënëse e kolegjit “Our Lady and St.Patrick’s College” në Belfast, Emer ka nisur të vrapojë 3 vjet më parë, duke treguar menjëherë se ka të dhëna të mëdha për garat e gjata.

Emer McKee. Gazeta Si, 7 maj 2021

Në stërvitjen e saj të përditshme, 12-vjeçarja mbështetet nga një grup atletesh të klubit të saj, por shumë më të mëdha në moshë. Ajo ndihmohet gjithashtu edhe nga nëna e saj, Catherine, si dhe nga mësuesit e shkollës së saj.

Nëna e saj ka zbuluar se në një garë jo zyrtare pak javë më parë në Victoria Park në Belfast, Emer kishte arritur një kohë më të mirë, duke i bërë 5 kilometrat për kohën 16.37. ”Vajza ime është shumë e përqendruar në çdo gjë që bën. Për vrapin ka një pasion të madh dhe shkon gjithmonë të stërvitet në çdo lloj kushti atmosferik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë