Kombetarja

Reja vendos për dy sulmues: Shqipëria ka kualitet për të bërë më shumë!

Trajneri Edi Reja, në konferencën e dytë për shtyp si trajner i Shqipërisë, pas asaj të prezantimit të tij, ka folur për zgjedhjet që ka bërë për dy ndeshjet e radhës në grup ndaj Islandës dhe Moldavisë. Ai ka shpjeguar gjithçka me detaje për principet e punës së tij, skemën e lojës, mungesën e Gjimshitit dhe filozofinë ku bazohet. Trajneri italian ka theksuar mes të tjerash se sheh, kualitet e besim te grupi i lojtarëve, si dhe energji pozitive, ndaj dhe pret rezultate të mira.

“Vlerësimet e mia janë këto. Në listë janë 18 lojtarë që kanë qenë me ish-trajnerin De Biazi, janë edhe të tjerë që kanë qenë më Panuçin. Është një punë në vazhdim, sepse nuk kam pasur kohën e nevojshme për t’i parë të gjithë lojtarët. Javën e kaluar kishim lojtarë nga U-21 dhe lojtarë nga Partizani në stërvitje. Dua t’i shoh të gjithë, Vrioni është një lojtar që mund të jetë në listë, por tani nuk është në gjendjen e duhur. Kumbulla është një lojtar interesant, edhe Manaj që po luan në Spanjë. Kam 35 lojtarë që janë nën vëzhgim, por nuk mund t’i marr të gjithë dhe duhet të kenë durim ata që nuk janë në listë për momentin. Për këto dy ndeshje kam bërë këto zgjedhje, duke marrë lojtarë që kanë qenë edhe më parë dhe që e njohin njëri-tjetrin.

Trajneri Edi Reja

E vështirë të flitet në këtë moment ku do të arrijmë. Objektivi është të arrijmë të kualifikohemi për në Euro 2020. Objektivi është që të paktën mendësisht të nisim të besojmë se mund të bëjmë diçka të mirë. Duhet që të gjithë lojtarët që vijnë në Kombëtare, të kenë bindjen se do ta arrijmë objektivin tonë. Dua një skuadër agresive dhe një skuadër të ekuilibruar në planin mbrojtës, sepse kam vënë re që në këtë drejtim ka pasur probleme. Duhet të sistemojmë lojën mbrojtëse. Pastaj duhet të kërkojmë rezultatin. Të gjithë e ndjekin Kombëtaren dhe ka shumë pritshmëri nga shqiptarët për këtë skuadër. Lojtarët duhet të ndërgjegjësohen se kur vijnë këtu, duhet të japin gjithçka. Duhet ta ndjejnë Kombëtaren. Kam folur me shumë lojtarë që të kuptoj se çfarë mendojnë ata. Kam qenë në Greqi dhe në Kroaci. Ka dëshirë dhe entuziazëm për të bërë mirë. Ka një energji pozitive, që e ndjej. Falënderoj Partizanin për katër lojtarët që kishim në stërvitje. Java e kaluar ishte për t’u dhënë gjendjen e duhur fizike disa lojtarëve që kishin përfunduar kampionatin.

Kur ke shpirtin e grupit, mund t’ia dalësh. Uroj dhe jam i bindur se do t’i japim raportin e duhur skuadrës. Trajneri duhet ta bëjë këtë, në bashkëpunim me lojtarët, të cilët duhet të besojnë në atë që duhet të bëjmë dhe kjo është thelbësore. Islanda është një skuadër e fortë, sidomos në lojën në ajër. Kemi një listë pritjeje dhe do të shohim çfarë do të bëjmë pas ndeshjes së parë. Janë shumë lojtarë që duhet t’i vlerësoj dhe të gjithë duhet të jenë shumë të kujdesshëm. Nuk më shpëton asgjë, i ndjek të gjithë dhe dua t’i njoh nga afër edhe në anën karakteriale. Nuk është si në një klub, ku i sheh përditë lojtarët, unë i shoh vetëm një javë ata. Duhet t’i njoh futbollistët dhe nga sot do të flas me ta me radhë. Janë detajet e vogla që bëjnë skuadrën. Ata që nuk janë në listë dhe nuk luajnë, duhet të inkurajohen. Me Lanjanin kam folur, ai është lojtarë që luan në mbrojtjen me 4, por më mirë luan nga mesfusha e përpara. Më jep të kuptoj se është një lojtar që mund të na shërbejë shumë. Detyra ime është që t’i shfrytëzoj sa më mirë aftësitë e lojtarëve.

Trajneri Edi Reja në konferencë shtypi

Do të luaj me dy sulmues në Islandë, por kjo nuk do të thotë se do të bëjmë lojë sulmuese. Dy sulmuesit do të jenë dy mbrojtësit e parë, kur topin e ka kundërshtari. Modulin e lojës e bëjnë lojtarët. Duhet të organizohemi mirë prapa, me tre ose katër lojtarë në mbrojtje, nuk kemi vendosur. Do të shohim këtë javë dhe do të bëjmë zgjedhjen, që lojtarët ndihen më mirë. Ka edhe lojtarë, si Memushaj, që janë të lodhur, por do të shohim gjatë javës. Në ndeshje duhet të jenë plotësisht gati, që të japin 100% në fushë. Punoj me 20 lojtarë, në çift me mbrojtësin dhe mesfushorin, pastaj bëj zgjedhjen dhe shpresoj të jetë e duhura.

Gjimshiti do të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale sot, ka hernie. Ka sakrifikuar për Atalantën në ndeshjet e fundit, por nuk mund të stërvitej. E kam marrë unë tek Atalanta dhe më vjen keq që më mungon. Edhe Vrioni ka probleme me pubalgjinë. Çekiçi? E kam parë, por duhet të bëj zgjedhjet e mia. Do ta shoh sërish dhe nuk do të thotë se ai nuk do të jetë në Kombëtare më pas. Kemi mesfushorë që kanë cilësi të mira dhe mund të luajmë 3-5-2. Duhet të vlerësoj Hysajn, nëse mund të bëjë lojtarin e krahut në mesfushën me 5 lojtarë. Roshi, Uzuni Grezda luajnë në krah, edhe Balaj mund ta bëjë. Sipas lojtarëve bëhet skema. Nuk mund të hidhesh në sulm pa “bomba dore”. Është shumë e rëndësishme që lojtarët duhet ta dinë mirë atë që do të bëjnë kur hidhen në fushë. Kjo është gjithçka sa i takon skemës, është 3-5-2, ose 3-4-1-2. Janë gjithmonë dy sulmues përpara.

Duhet rezultat, sepse rezultati të jep harmoni dhe kështu grupi i futbollistëve është i lumtur. Tani jemi entuziastë dhe të gjithë mezi presin të nisim punën. Uroj të bëjmë gjithçka mirë sa më shpejt. Skuadra ka cilësi. Nga ajo që kam parë, kam parë tregues pozitivë, kur kam parë lojtarët individualisht. Ata mund të bëjnë shumë më shumë nga sa kanë bërë në ndeshjet e fundit. Nëse nuk do të isha i bindur për këtë, nuk kisha pse të vija këtu. Kur lojtarët futen në fushë, duhet të jenë të sigurt në vetvete. Gjuha shqipe? Kam qenë i kujdesshëm gjithmonë, por nuk kam mësuar asnjë fjalë. Jam i disponueshëm me të gjithë dhe dua të kemi bashkëpunim. Kam njohur shqiptarë në vendin ku jetoj, në Friuli. Më kanë ndërtuar shtëpinë dhe shpresoj të mos shembet (qesh). Duhet të hedhim baza të forta. Jam autoritar në fushë, por jashtë jam i gatshëm për gjithçka. Më jepni mundësinë të njoh sa më mirë skuadrën.

Kam folur me De Biaznin më shumë se një herë dhe ai më ka shpjeguar gjithçka, kam marrë impresione pozitive për futbollistët. Dua të administroj gjithçka me rregulla, por edhe me demokraci. Secili ka mënyrën e vet të punës, ndoshta Panuçi ka qenë pa fat në rezultate, por edhe ai me siguri është përpjekur të punojë mirë. Nuk jam mësuar të flas keq për kolegët”, - tha trajneri Reja në konferencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë