Kombetarja

Reja vendos për anti-Turqinë, vetëm një lëvizje në ekipin fitues

Formacioni fitues nuk ndryshon. Është një aksiomë e njohur në futboll dhe trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, do t’i qëndrojë besnik formacionit që fitoi kundër Islandës disa javë më parë. Ndryshimi i vetëm është ai i detyruar prej mungesës së kapitenit të dëmtuar Elseid Hysaj, vendin e të cilit, sipas të gjitha gjasave, pritet ta marrë Odise Roshi.

Ndeshja e sotme ndryshon nga ajo me Islandën, luajmë në transfertë dhe ndaj një kundërshtari me karakteristika të tjera. Megjithatë, trajneri Reja ka bindjen se ai formacion funksionoi dhe duke përmirësuar diçka në prapavijë, mund t’ia dalë edhe në Turqi. Sigurisht, Roshi nuk është aq mbrojtës sa Hysaj, por për një ndeshje ku bën punë vetëm fitorja, duhet pak guxim dhe 74-vjeçari i stolit kuqezi ka vendosur të guxojë. Në portë do të jetë sërish Tomas Strakosha, edhe pse Etrit Berisha, për hir të së vërtetës, po kalon një moment më të mirë me ekipin e tij në Itali.

Roshi dhe Bare, të dy priten titullarë ndaj Turqisë. Gazeta Si, 11 tetor 2019

Trajneri Reja përjashtoi debutimin e ndonjë lojtari nga minuta e parë, që do të thotë se Kumbulla nuk luan. Treshja e mbrojtjes do të jetë me Dermakun në qendër, Ismajlin në të djathtë dhe Gjimshitin në të majtë. Një varianti ishte edhe mbrojtja me katër, që do të përfshinte edhe Veselin, por Reja parapëlqen skemën e zakonshme. Roshi dhe Lenjani, të rreshtuar në mesfushën me pesë lojtarë, do të jenë gjithmonë në ndihmë të mbrojtjes. Janë të dy lojtarë të shpejtë dhe sakrifikojnë në të dyja fazat e lojës. Në këtë ndeshje mund të jenë elementët kyç të kuqezinjve.

Në qendër të mesfushës, Klaus Gjasula, Keidi Bare dhe Ledian Memushaj duken një trio e konsoliduar. Dy të parët, edhe pse janë të rinj në Kombëtare, japin garanci, pasi merren vesh mjaft mirë me njëri-tjetrin. Janë vërtet dy “motorë” që nuk pushojnë gjatë gjithë kohës së vrapuari. Ledian Memushaj, sot me shiritin e kapitenit në krah, është lojtari që lidh mesfushën me sulmin dhe e bën mjaft mirë. Ai është edhe ekzekutuesi i të gjitha goditjeve standarde. Është mësuar me të qenit kapiten, pasi e ka mbajtur shiritin te Peskara. Një lojtar me shumë personalitet dhe përvojë, i nevojshëm për skuadrën.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Turqisë. Gazeta Si, 11 tetor 2019

Dyshja e sulmuesit është ajo që ndaj Islandës i befasoi të gjithë. Sokol Cikalleshi punoi mjaft mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe shënoi, ndërsa Manaj e mbështeti shumë mirë shokun e repartit. Brilant me atë asist për Hysajn dhe problematik për mbrojtjen kundërshtare gjatë gjithë kohës. Ndaj Turqisë edhe ata do të jenë më të angazhuar për të bërë presing te kundërshtari, duke e bezdisur në ndërtimin e aksioneve. Alternativat në stol nuk mungojnë. Balaj, Abrashi, apo edhe të rinjtë Selahi e Seferi janë gati.

Shqipëria mban vendin e katërt në Grupin H të eliminatoreve të Euro 2020. Kuqezinjtë kanë 9 pikë pas 6 ndeshjesh. Grupin e udhëheqin Turqia dhe Franca me nga 15 pikë, kurse Islanda, një rival direkt i Shqipërisë, ka 12 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë