Kombetarja

Reja sqaron zgjedhjet për ndeshjet e qershorit, Broja me Covid

Gazeta Si - Trajneri Edi Reja ka dalë në një konferencë shtypi, ku ka shpjeguar zgjedhjet e tij për tri ndeshjet e qershorit. Kuqezinjtë do të luajnë me Islandën dhe Izraelin në Ligën e Kombeve, si dhe me Estoninë një miqësore.

Italiani është shprehur se dy ndeshjet e Ligës së Kombeve janë shumë të rëndësishme: “Vijmë nga një moment i mirë, sepse në muajin mars kemi bërë dy miqësore të mira. Duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Duhet të vazhdojmë me paraqitje të një niveli të lartë.

Kombetarja në stërvitje. Gazeta Si, 27 maj 2022

Në fund të kampionatit ka problematika me gjendjen fizike dhe duhet të flas me lojtarët. Janë ndeshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, jetësore. Kërkojmë rezultate pozitive për objektivin për kreun e grupit.

Kam shumë besim te skuadra. Në momente të vështira e ka treguar veten edhe në aspektin mental. Për të fituar grupin duhet përqendrim në çdo moment. Kemi parë si fitohen finalet edhe me Romën. Ajo qëndroi prapa, Mourinjo është mjeshtër i kësaj taktike.

Prandaj them se duhet të përdorim shumë mendjen në këtë periudhë për të përballuar këto ndeshje. Djemtë e dinë shumë mirë rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Ata që do të zbresin në fushë jam i bindur se do të japin 100%.

Kam një grup të përshtatshëm lojtarësh. Do të bëjmë një analizë, kur ta kemi gjithë grupin në dispozicion. Kemi sulmues me vlera, por rëndësi ka të ketë ekuilibër në skuadër, nga mbrojtja në sulm.

Nëse ke në skuadër sulmues që konkretizojnë, kuptohet që është më mirë. Por duhet kujdes në të tre repartet. Luajmë me skuadra të përgatitura fizikisht, sidomos Islanda”.

Reja sqaroi çështjen e Strakoshës, i cili është lënë në listën e pritjes, si dhe të Manajt: “Kemi shumë lojtarë të rinj dhe dua t’i kem në fokus. i tillë ëhstë rasti i Asllanit, që është në qendër të merkatos.

Strakosha është në tratativa për klubin e ri, më ka kërkuar leje për këtë dhe kemi arritur një akord bashkë. Nuk dua t’ia komplikoj gjërat në këtë moment të rëndësishëm për të. Kemi Berishën, Selmanin dhe Kastratin.

Manaj ka pasur probleme me shpatullën, prandaj është jashtë. Ata që mungojnë kanë probleme fizike. Broja ka pasur Covid dhe nuk është në gjendjen e duhur. Shpresojmë ta kemi gati në ndeshjen e datës 10 qershor.

Laçi është operuar një ditë më parë, ndërsa situatën e Bares e dini. Këto ndeshje do të tregojnë vlerat e vërteta të Kombëtares. Duam të bëjmë atë hapin cilësor në arenën ndërkombëtare”, - theksoi Reja.

Finalja ishte perfekte
Trajneri Reja foli edhe për finalen e Ligës së Konferencës, që u luajt më 25 maj në Tiranë: “Si italian u gëzova që fitoi Roma. Pastaj kemi edhe Kumbullën aty. U kërkoj falje tifozëve të Lacios, ishte hera e parë që bëra tifo për Romën.

Organizimi ishte perfekt. Ne, po flas si shqiptar edhe unë, i treguam botës se dimë të organizojmë evente të tilla. Çdo gjë shkoi mirë, stadium ishte i mrekullueshëm. Më goditi sjellja e tifozëve të Fejnordit, të cilët inkurajuan ekipin, pavarësisht humbjes” – tha Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë