Kombetarja

Reja: S’jam unë problemi i Shqipërisë, do flas me presidentin për të ardhmen

Gazeta Si - Edi Reja ka folur me qetësinë e tij të zakonshme pas barazimit me Islandën. Ai evidentoi mungesat si shkak të rezultateve të fundit, por pohoi se në përgjithësi skuadra është rritur.

Për barazimin me Islandën, trajneri italian u shpreh: “Ishim në epërsi numerike, duhej të menaxhonim më mirë ndeshjen, por nuk arritëm ta mbyllnim. Ata ishin më të fortë fizikisht. U zëvendësua Gjasula, se nuk ndihej mire dhe vetëm pak çaste më pas u dëmtua Ismajli. Nuk kishim më zëvendësime.

Kishim edhe mungesa të shumta. Ata që luajtën dhanë më të mirën. Mund të fitonim, nëse do të tregonim pak kujdes. Më vjen shumë keq, pasi e flakëm tutje këtë ndeshje dhe vijmë të flasim këtu për të njëjtat gjëra.

Nga deshja e parë me Islandën jemi rritur ndjeshëm, por kohët e fundit nuk kemi bërë shumë mirë. Na kanë munguar lojtarët me experience dhe së fundi skuadra nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive. Më vjen shumë keq për vërshëllimat e tifozëve”.

Edi Reja, trajneri i Kombëtares. Gazeta Si, 27 shtator 2022

Për të ardhmen e tij, trajneri Reja tha se do të flasë me presidentin Duka: “Kam kontratë deri në nëntor dhe më pas do të flasim me presidentin. Do të diskutojmë dhe do të gjejmë zgjidhje për të ardhmen. Mendoj se kemi bërë një punë të mirë gjatë kësaj kohe, duke dhuruar paraqitje të mira.

Kohët e fundit nuk kemi dhënë atë që mundeshim, këtu përfshij edhe veten time. Kemi pasur shumë mungesa dhe nuk kemi qenë aty ku duhet. Megjithatë, t’i lëmë justifikimet, pasi kemi aktivizuar shumë të rinj, funksionalë për skuadrën dhe lojën e saj.

Nuk kam asnjë keqardhje, pasi kam bërë një punë të mirë dhe jam munduar ta ndihmoj skuadrën. Nuk jam unë problemi i Shqipërisë, pasi po të ishte kështu, presidenti do ma kishte thënë. Jam munduar të përmirësoj qoftë individët, qoftë skuadrën.

Sot ishim në epërsi numerike dhe duhej të mbyllnim ndeshjen, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk është faji im. Ata kanë bërë 5 gjuajtje dhe 4 prej tyre në kuadrat. Ne kemi bërë 22 gjuajtje dhe vetëm 4 në kuadrat, ndaj nëse nuk janë të zotët ta dërgojnë topin në rrjetë, nuk kam çfarë të bëj. Duhet të përmirësohemi në këtë aspekt”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë