Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka shpallur listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore të kampionatit Europian 2020.
Në listën e bërë publike nga Reja ka disa ndryshime të rëndësishme. Janë dy prurje të reja, si Marash Kumbulla dhe Klaus Gjasula. Sa i përket mungesave, bien në sy mos thirrja e Armando Sadikut dhe Eros Grezdës. Ky i fundit bashkë me 6 futbollistë të tjerë janë futur në listën e rezervave të Rejas që mund t’i bashkohen grupin në rast të ndonjë dëmtimi gjatë stërvitjeve të këtyre ditëve.
Në portë Reja nuk ka asnjë surprizë, teksa ka thirrur tre “muskëtierët e zakonshëm, Thomas Strakoshën, Etrit Berishën dhe Alban Hoxhën. Në mbrojtje janë Hysaj, Dermaku, Mihaj, Ismajli, Gjimshiti, Veseli, Mavraj dhe rishtari Kumbulla. Në mesfushë Edi Reja ka grumbulluar, Ramadanin, Lenjanin, Xhakën, Baren, Abrashin, Memushajn, Gjasulën dhe Qosen. Në ndërsa në fazën e sulmit janë grumbulluar Myrto Uzuni, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Odise Roshi, Rei Manaj.
Pasi shpalli listën, trajneri Edoardo Reja ka dalë para gazetarëve duke folur edhe për dy ndeshjet Francën dhe Islandën. Sipas Rejas, të dyja ndeshjet janë shumë të rëndësishme dhe kanë vlera, por ajo me Islandën është thelbësore për objektivat që kemi në grup. Në fillim tekniku italian foli për ndryshimet në listën e lojtarëve, duke e vënë theksin te dy afrimet e reja, Klaus Gjasula e Marash Kumbulla, por edhe tek i rikthyeri Rei Manaj.
“Duke kaluar te skuadra ka ndonjë risi se ka emra të rinj që nuk i njihja por ju po, janë lojtarë të rinj që kanë shpërthyer në arenën ndërkombëtare, por unë nuk i njihja. Për shembull është Manaj apo Gjasula i cili vitin e kaluar fitoi kampionatin e tani e nisi titullar. Një lojtar me karakteristika që mund të na ndihmojë në mesfushë dhe në aspektin fizik. Është Binaku që ka qenë më para me përgatitjet. Pastaj janë në listë pritje shumë lojtarë, si Seferi që ka shpërthyer në këtë sezon por në krahasim me të tjerët është pak më mbrapa me përgatitjet”.
Për mungesën e një lojtari që ka shkëlqyer kohët e fundit, si Endri Çekiçi, Reja tha se e ka ndjekur, por se për momentin ka zgjedhur ata futbollistë që i njeh pak më mirë, pasi edhe ndeshjet janë delikate.
“Është një lojtar që po e ndjekim, pasi ka bërë edhe gola dhe ka një rendiment të mirë. Unë në këtë listë kam thirrur lojtarë që i njoh edhe pse disa nuk kanë luajtur. Unë nuk mund të grumbulloj 40 lojtarë. Kam përzgjedhur lojtarë për t’i vlerësuar edhe nga ana fizike, për tu përballur më kundërshtarë të nivelit ndërkombëtar. Unë kam dëshirën që kur vijnë lojtarët të jenë gati edhe në akseptin fizik jo vetëm në atë teknik”.
Për Francën Reja tha se ka respekt maksimal, por do përpiqet të injektojë te ekipi një ndjenjë besimi dhe të përballemi me guxim me trans alpinët.
“Do të luajmë kundër një skuadre të fortë. Dihet se çfarë vlerash ka ai ekip, por në asnjë garë nuk dihet rezultati para ndeshjes. Ne do të përpiqemi të bëjmë maksimumin duke mbajtur lart përqendrimin. Shqipëria ka bërë gjithmonë paraqitje të mira me Francën. E di shumë mirë që është e vështirë, më pëlqeu ajo që bëmë me Islandën, më pak ajo me Moldavinë, pasi mendova se do të bënim sërish mirë, por gjithsesi ishte rezultati i rëndësishëm në fund.”
Për homologun e tij, Didier Deshamp, Reja tha se ai ka të njëjtin problem si Shqipëria në këtë periudhë të vitit, pasi lojtarët nuk kanë gjendjen fizike optimale. Reja nuk e beson shumë frikën që ka shfaqur Deshamp ndaj Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një formë motivimi që francezi ka bërë me lojtarët e tij.
“Francën e njohim. Nuk e di se më çfarë forma do të luaj, por ne e konsiderojmë shumë të fortë se Shqipëri, por gjithsesi do jetë për tu parë. Ne nuk duhet të biem në kurthin e tyre. Do të përpiqemi të ti vëmë në vështirësi, nuk di të them se si do të luajmë. Në këtë moment aspekti fizik është i rëndësishëm. Në këtë drejtim do të përpiqem të hedhë në fushë lojtarët më të përgatitur nga ana fizike.”
Ndërsa sa i përket mungesave që do të ketë Franca për ndeshjen me Shqipërinë, Reja tha se për atë ekip nuk janë problem, pasi ka mjaftueshëm lojtarë të tjerë për t’i zëvendësuar denjësisht.
“Përballja direkt nuk është me Francën, por me Islandën. Nëse do fitojmë me Islandën do të rregullojmë pozicionin tonë në tabelë. Por nuk i dihet, pasi kush e priste që Turqia të fitonte me Francën. Gjithsesi është e rëndësishme për ne që mos të gabojmë me Islandën. Nëse marrim një rezultat me Islandën do të bënim një hap të rëndësishëm në këto eliminatore”.
Më tej duke u ndalur në situatën e aktivizimit të lojtarëve, trajneri kuqezi tha se është i kënaqur. Reja tha se një pjesë e mirë e lojtarëve që ai i ka menduar si titullarë kanë mjaftueshëm minuta në këmbët e tyre.
“Disa kanë luajtur dhe ka kampionate që kanë nisur vetëm këtë javë. Ka nga ata që janë me 360 minuta, por edhe nga ata me 180 minuta. Por në këtë gjendje është edhe skuadra e Francës. Ka nga ata lojtarë që minuta më shumë dhe nga ana më pak. Unë shqetësohem dhe besoj edhe Deshamp është në të njëjtën gjendje. Me vjen mirë që ai thotë se do e ketë të vështirë me Shqipërinë, pasi e besoj që e përdor për të motivuar lojtarët. Pas pushimit ne trajnerët jemi të shqetësuar kur kemi ndeshje të rëndësishme në këtë moment.
Sa i përket minutave, shoh listën, që kam disa lojtarë që kanë shumë minuta në këmbët e tyre. Portierët, Ismaili, Gjimshiti, Kumbulla dhe disa të tjera që kanë më shumë se 180 minuta në këmbët e tyre në kampionatet që luajnë. Por edhe Roshi, Balaj, Uzuni kanë luajtur dhe kanë minuta në këmbët e tyre në këtë fillim të kampionatit. Pra mund ta them që kam lojtarë që janë gati në aspektin fizik dhe kanë luajtur me ekipet e tyre”.
Reja në këtë dalje për mediet, tha se është shumë i kënaqur me harmoninë që mbizotëron në kombëtare. Italiani tha se nëse vazhdohet me këto ritme, është e sigurt që rezultatet herët a vonë do vijnë.
“Më vjen mirë që më bëhet kjo pyetje. Që kur kam ardhur unë këtu dhe kam provuar të organizojë një skuadër që ishte jo në maksimumin e saj. Por pashë që gjatë stërvitjes, kishte lojtarë ishin të lumtur duke punuar dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme për atë që ne duam të arrijmë. Duke marrë parasysh këtë, ne kemi bërë hapa të rëndësishme si me Islandën edhe me Moldavinë. Djemtë treguan se ka shumë arsye për të luajtur i motivuar me kombëtaren. Dua që të gjithë të punojmë në të njëjtin drejtim. Dhe kjo është ajo që unë dua, pasi rezultati mund të vijë ose jo, ai varet.”
Optimist në maksimum, Reja tha se me grupin që po krijon po mundohet të imitojë modelin e De Biazit.
“Unë duhet të formoj një grup të ri, pasi ajo që bëri De Biazi ishte e jashtëzakonshme. Djemtë po japin 100% dhe kjo është thelbësore për projektin. Kemi një grup shumë të fortë edhe dy ndihmësit e mi, Bulku dhe Salihi që janë si dy ushtarët e mirë nga të dyja krahët për çdo vendim që unë marrë. Por edhe pjesa tjetër e stafit mund ta them që është e një niveli goxha të lartë dhe shpresoj që të arrijmë diçka. Unë do të jap maksimumin tim dhe mbase nuk do të kapim europianin këtë herë, por me siguri që do të bëjmë diçka më rëndësi”.
Në fund edhe një fjalë për tërheqjen e Migjen Bashës nga kombëtarja.
“Ai ka qenë lojtari i parë që kam njohur, pasi kam shkuar në Greqi për Kaçen dhe Mihajn. Ai ka pasur një gatishmëri të paparë për të më ndihmuar. Ai e kishte kuptuar gjendjen jo të mirë me Panuçin. Normalisht me moshën që ka, prioritet është familja, duhet të filloj ta shikojë të ardhmen në një mënyrë tjetër, ashtu si unë duhet të punojë me disa lojtarë të rinj. Më ngelet ta falënderoj për ndihmën dhe shpresoj që Federata ta marrë parasysh ndihmën e tij.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.