Kombetarja

Reja: Shoh perspektivën kuqezi, në Turqi bëjmë një ndeshje të madhe

Pas shpalljes së listës zyrtare për dy ndeshjet me Turqinë dhe Moldavinë, trajneri Edi Reja ka dalë në konferencë shtypi, ku ka shpjeguar zgjedhjet e tij, lënien jashtë të disa lojtarëve me peshë si Mavraj, Sadiku e Xhaka, grumbullimin e Selahit e Seferit. Ai ka folur për dy ndeshjet e radhës në transfertë, veçanërisht atë me Turqinë, ku objektivi është vetëm fitorja.

Trajneri e ka nisur konferencën me mungesat në listë. “Kam folur me Mavrajn dhe ai më ka thënë se duhet të bëjë një ndërhyrje në krah këtë javë. Ma ka kërkuar ai të jetë jashtë këtë radhë dhe në nëntor do të jetë sërish me ne. Po sqaroj edhe çështjen e Sadikut, sepse e di që do të më pyesni. Ai ka probleme të rëndësishme familjare, kam folur me të sot në mëngjes. Për këtë më ka kërkuar leje. Dua t’i jap kohë edhe Selahit për ta parë. Nuk dua të kem një grup prej 27 lojtarësh, sepse kur shkojnë në tribunë disa, më vjen keq. Dua të shoh gjithashtu edhe Seferin, ashtu si Selahin. Po shoh edhe për perspektivën dhe nuk dua grup të madh. Ka shumë të rinj që premtojnë dhe unë jam gjithmonë i vëmendshëm për t’i parë.

Kuqezinjtë festojnë suksesin ndaj Islandës. Gazeta Si, 6 tetor 2019

Edhe Trashi meriton një shans, një thirrje nga ana jonë. Ka qenë edhe më parë, por jo në listën zyrtare. E kam parë edhe më përpara, por dje pashë që ai është i kujdesshëm edhe në lojën mbrojtëse. Pse 4 portierë? Meqë Turqia ka marrë 4 portierë, edhe unë nuk dua të kem më pak, kështu jemi barazim. Nuk ka asnjë problem me Berishën. Mua më takon të bëj zgjedhjen dhe këtu qëndron vështirësia, kush do të jetë titullar. Edhe Selmani po luan në Turqi dhe është e natyrshme që ne ta kemi në listë”, ka theksuar trajneri italian.

Lojtarët që nuk luajnë
Ka lojtarë që luajnë rregullisht, por ka edhe nga ata që nuk kanë minuta me ekipet e tyre. Unë shoh edhe sjelljen e këtyre lojtarëve në Kombëtare. Dermaku, për shembull, nuk luan me Parmën, por është gati në çdo moment për Kombëtaren. Luajti ndeshjen e fundit me Islandën dhe shënoi. Hysaj nuk po luan te Napoli, pasi ka pasur edhe një dëmtim, por ai është stërvitur mirë dhe në ndeshjen me Islandën ishte në nivel mjaft të mirë, duke shënuar edhe ai, diçka që nuk e kishte bërë më parë.

Në Turqi, për një ndeshje të madhe
Shkojmë për të bërë lojën tonë në Turqi. Nga ana taktike besoj se do të bëjmë shumë mirë dhe do ta vëmë Turqinë në vështirësi. Ata janë të shpejtë dhe të rrezikshëm në sulm. Objektivi ynë i vetëm është të bëjmë një ndeshej të madhe në Turqi dhe të mos gabojmë asgjë. Kemi vetëm një shans, fitoren, ndërsa Turqisë i mjafton edhe barazim. Shqipëria e Shkodrës ndaj Turqisë ndryshon shumë me këtë që është tani. Tani jemi një skuadër e re dhe shumë më ndryshe. Nuk dua ta marr në konsideratë atë ndeshje. Turqia është shumë e fortë në fushën e saj, edhe Francën e vuri në vështirësi. Por edhe ne kemi cilësitë tona, që duhet t’i shfrytëzojmë. Çalhanoglu ka kualitet, por ata kanë lojtarë të rëndësishëm në çdo zonë të fushës, sidomos përpara. Ne jemi përmirësuar shumë në mbrojtje, edhe pse kemi pësuar dy gola ndaj Islandës, që mund të ishin evituar. Janë gabime që në Turqi nuk duhet t’i bëjmë kurrsesi. Gjithçka varet nga ne, të bëjmë lojën tonë dhe mendoj se me cilësitë që kemi mund të marrim rezultat ndaj çdo kundërshtari.

Festa e golit të Dermakut ndaj Islandës. Gazeta Si, 6 tetor 2019

Gati për të rinovuar
Rinovimi im? Kur të përfundojmë këtë cikël në nëntor, do të shohim, nëse kemi ndërtuar diçka. Mendoj se diçka kemi bërë, kemi një grup me të rinj, kemi përmirësuar aspektin e lojës dhe të mentalitetit. Kam besim te kjo skuadër dhe jam i disponueshëm për të ardhmen, dëshira ime është që të vazhdoj, sepse grupi po formohet dhe ka një sintoni. Pastaj varet nga presidenti.

Revolucioni në skuadër
E kam marrë në konsideratë punën e Panuçit. Tani më duhet ta mbledh më shumë skuadrën. Kemi bërë lëvizje, kemi ndryshuar mesfushën, kemi aktivizuar Baren dhe Gjasulën, por edhe Memushaj që nuk ka luajtur rregullisht. Unë jam këtu për të parë çdo lojtar. Shoh lojtarë që janë të dobishëm për skuadrën dhe për projektin. Nuk na mungon cilësia, por llogaritë i bëj në bazë të kundërshtarit. Duhet të gjejmë kombinimin e duhur për çdo ndeshje. Xhaka dhe Abrashi kanë bërë mirë sa herë kanë luajtur. Kjo skuadër ka dhënë gjithmonë maksimumin. Kemi edhe Qosen dhe Ndojin në mesfushë, lojtarë të rinj, për të cilët do të gjej momentin për t’i integruar në skuadër. Nëse ka edhe 1% shans për rezultatin, pra për të shkuar në Europian, bëj gjithçka, por shoh edhe për perspektivën në të njëjtën kohë. Tani kemi më shumë ekuilibër si skuadër, janë 5 lojtarë që mbrojnë dhe 5 lojtarë që sulmojnë.

Kombëtarja para ndeshejs me Islandën. Gazeta Si, 6 tetor 2019

Po shoh edhe për lojtarë që kanë dy nënshtetësi, që janë me dy pasaporta. Detyra jonë është që të provojmë për çdo lojtar që mund të luajë për Shqipërinë. Plani ynë shkon përtej nëntorit, do të mundohem të sjell lojtarët që i bëjnë punë Shqipërisë. Nëse nuk jam në një vend ku nuk ka akord dhe sintoni, e ndërpres kontratën dhe largohem. E kam bërë te Napoli dhe Lacio. Kush më njeh, e di mirë që më motivojnë projektet. Nëse nuk shkon diçka, atëherë i japim dorën njëri-tjetrit dhe mbetemi miq si më parë. Hamë darkë bashkë, pimë një gotë verë, shkojmë te kantina e Dukës dhe pastaj ndahemi si miq, por unë shoh që ka sintoni dhe kam dëshirë të vazhdoj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë