Trajneri i Kombëtares, Edi Reja do ta shtyjë kontratën deri në vitin 2022. Ai do të jetë në krye të kuqezinjve edhe për eliminatoret e Botërorit. Rinovimi, duke parë ndeshjet e fundit të Shqipërisë, konsiderohej thjesht formalitet, sepse italiani 74-vjeçar ka bindur presidentin e FSHF-së, Armand Duka, por edhe tifozët kuqezinj. Reja dhe Duka do të takohen në muajin nëntor, para ndeshjeve me Andorrën dhe Francën, që mbyllin eliminatoret e Euro 2020, për të firmosur kontratën e re.
Reja e mori drejtimin e Shqipërisë në një moment delikat, kur patrioti i tij, Kristian Panuçi, jo vetëm që kishte arritur rezultate të dobëta, por kishte prishur jo pak atmosferën brenda kuqezinjve. Italiani dhe Duka ranë dakord për një kontratë 6-mujore fillimisht, për të vendosur më pas për vazhdimësinë. Me atë që kuqezinjtë kanë bërë nën drejtimin e Rejës, nuk ishte e vështirë të kuptohej se trajneri veteran do të vazhdonte. E pranoi edhe vetë presidenti Duka pas fitores në Moldavi.
Të gjithë mendojnë se Reja është njeriu i duhur për të drejtuar Kombëtaren, pavarësisht moshës së madhe. Ai i ka dhënë fizionomi skuadrës shqiptare, ka krijuar frymën e grupit dhe zgjedhjet teknike i kanë rezultuar të goditura. Reja do të ketë detyrën të udhëheqë Shqipërinë në eliminatoret e Botërorit, por edhe në Ligën e Kombeve. Një punë që e ka nisur tashmë dhe është i vendosur për ta çuar deri në fund.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.