Kombetarja

Reja për rinovimin: Sfidë e bukur, shqiptarët besojnë shumë te ne italianët

Firma dhe zyrtarizmi nga FSHF-ja mungojnë ende, por trajneri Edi Reja e quan punë të kryer rinovimin me 4 vjet të kontratës në krye të Kombëtares së Shqipërisë. Ai ka folur së fundi për vazhdimin e bashkëpunimit me kuqezinjtë për “Radiosei” në Itali. Mes të tjerash, Reja thekson se është një sfidë e bukur për të, pasi do të jetë trajneri me moshën më të madhe në qarkullim.

"Është një sfidë shumë e bukur, një projekt serioz dhe i rëndësishëm, që më jep mjaft entuziazëm. Do të kem mbështetjen e të gjithë faktorëve futbollistikë dhe pastaj, nëse jam trajneri më i moshur në qarkullim, më jep një kënaqësi më vete”, - është shprehur trajneri Edi Reja, i cili nuk është aspak euforik në deklarata dhe nuk bën premtime për Botërorin e Katarit. Ai e di shumë mirë sa e vështirë është që Shqipëria të jetë mes 13 skuadrave europiane që shkojnë në këtë kompeticion.

Presidenti Duka dhe trajneri Reja. Gazeta Si, 21 nëntor 2019

Reja ka si objektiv Euro 2024, ku beson shumë se Shqipëria e tij mund t’ia dalë, duke shkuar për herë të dytë në historinë e saj. Më pas edhe një mendim për shqiptarët. "Shqipëria është një vend i gjallë, një vend vital. Njerëzit kanë një konsideratë të lartë për ne italianët. Ndoshta ata besojnë më shumë te ne nga sa ne besojmë te vetja jonë”, - ka theksuar trajneri italian. Edi Reja do të jetë 77 vjeç në 2022-shin, por ai nuk ka dëshirë t’i shohë aspak shifrat. Me shumë modesti ai kërkoi kontratë 2-vjeçare me kuqezinjtë, por presidenti Armand Duka këmbënguli për kontratë 4-vjeçare, duke lënë të kuptohet se objektivi është Europiani 2024.

Ditët në vazhdim pritet të kryen edhe formalitetet e kontratës së re të Rejës. Në 6 muajt që e drejtoi Shqipërinë, ai tregoi se mund ta udhëheqë këtë skuadër drejt një objektivi madhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë