Kombetarja

Reja për FIFA-n: Ëndërrojmë Botërorin, Shqipëria mund të bëjë gjëra të mëdha

FIFA ka intervistuar trajnerin e Kombëtares shqiptare Edi Reja, pas suksesit të ngjitjes në Ligën B në Ligën e Kombeve si fituese e grupit. Trajneri italian i kuqezinjve ka folur për punën që po bën me Shqipërinë dhe ka theksuar se ëndrra është kualifikimi për në Botërorin e Katarit.

Fituat grupin tuaj në Ligën e Kombeve dhe u ngjitët në Ligën B. Çfarë mësuat nga skuadra tuaj në këtë aktivitet?
Liga e Kombeve ishte një eksperiencë interesante. Çdo skuadër ka një qasje të ndryshme ndaj futbollit dhe duhej të përshtateshim ndaj kundërshtarit në më shumë se një rast. U përgatitëm mirë për ndeshjet tona dhe morëm një përgjigje të mirë nga ekipi. Më pëlqeu mënyra si u përshtatëm në taktika të ndryshme dhe më bëri përshtypje sjellja e lojtarëve të rinj, të cilët treguan vlerat e tyre. Ishte kënaqësi e vërtetë, pasi më duhet të pranoj se isha pak i shqetësuar para këtyre ndeshjeve. Për lojtarët e lindur mes viteve 1999-2001, të cilët nuk kanë shumë eksperiencë, arena ndërkombëtare mund të ketë qenë një sfidë e madhe. Të përfaqësosh vendin tënd është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e forte, por ata u treguan të guximshëm dhe zëvendësuan denjësisht lojtarë që mungonin.

Trajneri Reja gjatë një grumbullimi me Kombëtaren. Gazeta Si, 4 dhjetor 2020

A ka diçka që nuk ju pëlqeu dhe që doni ta përmirësoni para fillimit të kualifikueseve të Kupës së Botës?
Nuk më pëlqeu fakti që humbëm përqëndrimin, pasi fituam një ndeshje dhe nuk treguam aq shumë vendosmëri. Nuk mund të relaksohesh dhe të humbasësh përqëndrimin në këto nivele, pasi u jep edhe kundërshtarëve më të dobët mundësinë për të të goditur. Kur jemi të relaksuar ne na mungon agresiviteti që na nevojitet për të arritur rezultate. Patëm probleme ndaj Bjellorusisë, duke pësuar një gol budalla, pasi ishim në avantazh 2-0. Nëse duam të rritemi dhe të bëhemi më të mirë, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të jemi më të fokusuar te ndeshja.

Shqipësia u kualifikua në Euro 2016, por pastaj nuk ia doli të shkonte në “Rusi 2018” dhe “Euro 2020”. A ka mundësi realite për t’ia dalë në “Katar 2022”?
Kemi treguar se jemi një ekip konkurrues. Objektivi ynë është që të përmirësohemi sa më shumë. Duhet të vendosim si objektiv kualifikimin dhe ta kthejmë këtë në një ëndërr tonën, pasi duhet të besosh në objektivat që ke. Nëse kjo skuadër beson dhe më ndjek, mund të arrijmë gjëra të mëdha. Rruga jonë do të përcaktohet nga shorti, por ëndrrat mund të bëhen realitet. Nëse nuk beson, atëherë nuk mund të bësh gjëra të mëdha.

Reja dhe Deshamp. Gazeta Si, 4 dhjetor 2020

Keni kaluar thuajse dy vite në futbollin shqitar tashmë. Sa larg mund të shkojë dhe çfarë përmirësimesh mund të bëni?
Futbolli shqiptar po rritet gjatë gjithë kohës dhe Federata meriton mirënjohje për punën që po bën. Kam qenë në shumë ndeshje dhe niveli është i mirë, por ka vend për përmirësim nga pikëpamja taktike. Duhet bërë shumë sa i përket mendësisë, planit të ndeshjes dhe përgatijes fizike.

Keni kaluar gjithë karrierën duke drejtuar klube. Çfarë ju bëri të vendosni për drejtuar një kombëtare?
Kam pasur një karrierë të gjatë si trajner, janë bërë 41 vite dhe mendoj se mora gjithçka që desha nga futbolli i klubeve. E kam nisur me klube të vogla dhe gradualisht kalova në skuadra më të mëdha. Dua të jem i sinqertë dhe them se kam arritur gjithmonë objektivat që kërkoja. Nuk kam dështuar asnjëherë. Kishte ardhur momenti të thosha “stop”. Dëshiroja të drejtoja një ekip kombëtar pasi ishte pjesa e fundit që mbetej për të kompletuar eksperiencën time. Kur Shqipëria më bëri ofertë, isha shumë i lumtur ta pranoja. Dëshiroja të dija si është të drejtosh një kombëtare. Me një ekip kombëtar ke vetëm një javë apo 10 ditë për ta stërvitur dhe duhet që shpejt të kuptosh se kush është në formë e kush jo, është një punë shumë stimuluese.

A keni pasur ndonjë peng gjatë karierës tuaj të gjatë dhe a ka pasur gjëra, për të cilat keni qenë më të vërtetë krenar?
Nuk kam asnjë peng, pasi kjo jetë më ka dhënë gjithçka. Kam bërë një punë që kam dashuruar. Kam luajtur futboll në nivelet më të larta dhe pastaj nisa trajnimin. Kam bërë shumë sakrifica, por e kam dashuruar gjithmonë këtë punë. Jam po aq entuziast rreth saj ashtu si isha kur e nisa. Ky është një sport me të cilin kam qenë gjithmonë i dashuruar dhe vazhdoj të jem pavarësisht moshës time. Arritja ime më e madhe ishte të merrja Napolin në Serinë C dhe ta çoja në Serinë A deri në Kupën UEFA në tre vite. Ata ishin tre vite në parajsën e futbollit. Njerëzit atje kanë aq shumë entuziazëm dhe jetojnë e marrin frymë futboll. Unë ndjehem me fat pasi kam bërë punën që kam dashuruar gjithmonë dhe nuk kam asnjë peng për ndonjë gjë që kam bërë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë