Kombetarja

Reja pas fitores: Do doja më shumë gola, po reflektoj për skemën

Pas fitores 0-2 në San Marino, trajneri i Kombërtares Edi Reja u shpreh se do të donte më shumë gola të shënuar, por ai theksoi se rëndësi kanë pikët. “E kishim për detyrë të fitonim. Krijuam shumë raste dhe do donim të fitonim 4-0 apo 5-0, por e rëndësishme është që morëm 3 pikët. Kuptohet, kur luan 3 ndeshje brenda pak ditësh, ekipi ndjen lodhje”, - tha Reja fillimisht.

Më pas trajneri italian kaloi në detaje teknike, duke analizuar punën e çdo reparti: “Në pjesën e dytë aktivizuam Uzunin dhe Roshin për të tentuar me vertikalizime. Skuadra u përpoq të reagonte, krijuam më shumë raste dhe arritëm të shënonim. Mesfusha u përpoq shumë në pjesën e parë, por nuk arritëm te finalizimi, në pjesën e dytë ishim më ndryshe.

Manaj feston golin ndaj San Marinos. Gazeta Si, 31 mars 2021

Në ndeshje të tilla nuk ia vlen të luash me më shumë se 3 mesfushorë, loja nga krahët na dha më shumë hapësira. Luajtëm me 3 mbrojtës, Lenjani dhe Hysaj më shumë u morën me fazën ofensive. Të dy lojtarët e krahëve krijuan shumë raste, janë lojtarë që e alternojnë shumë mirë edhe fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese.

Sulmuesit kanë vështirësi me këto ekipe si Andorra dhe San Marino, që mbyllen mbrapa. Shpresoja që Broja të bënte më mirë sot, ai është lojtar që ka nevojë për hapësira, luan mirë kur ka shumë fushë përpara dhe has vështirësi në zona të ngushta.”

Broja gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 31 mars 2021

Trajneri i Kombëtares pohoi gjithashtu se mund ta ndryshojë skemën në ndeshje të tjera. “E kemi shumë të vështirë me skuadra të tilla që tërhiqen shumë dhe kjo më bën të reflektoj për skema të tjera. Do më pëlqente dhe mua të kishim shënuar më shumë gola dhe të kishim luajtur ndryshe, por ja që nuk ia dolëm”, - u shpreh Reja në fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë