Kombetarja

Reja optimist: Me Moldavinë do ndryshojmë, po rritemi gradualisht

Ndryshe nga dalja pas ndeshjes me Islandën, trajneri Edi Reja në konferencën për shtyp në prag të sfidës me Moldavinë ishte më i qetë. Italiani ka analizuar edhe njëherë atë që ndodhi në ndeshjen e së shtunës, duke thënë se po punohet me ritëm të lartë që nesër të mos bëhen të njëjtat gabime. Sipas teknikut italian skema e re funksionoi, por do duhet akoma dhe pak më shumë punë që ajo te përthithet siç duhet nga lojtarët.

“Unë nuk pashë probleme në mbrojtje dhe në sulm, por jam dakord që lidhja mes tyre është një problem, duhet punuar për një koordinim sa më të mirë. Duhet të gjejmë zgjidhje për të sulmuar, të çojmë më shumë topa në zonë. Po përmirësohemi në lëvizje, në lojë ofensive, tani duhet konkretizuar puna që kemi bërë, sepse në mbrojtje luajtëm një ndeshje të shkëlqyer. Na mungoi finalizimi, ata nuk arritën të bënin më shumë se sa një rast në portë.”

Duke folur për përballjen me Modavinë, Reja paralajmëroi ndryshime. Tekniku italian tha se do të ketë ndryshime në stolin e lojës, kjo për shkak të kundërshtarit, por edhe në formacionin e lojtarëve që do të zbresin në fushë. Si herën e parë edhe për këtë ndeshje, Reja ishte hermetik në zbulimin e lojtarëve që do të luajnë që nga minuta e parë. “Do të shoh formën fizike, dikush mund të pushojë, sepse i kemi rolet të dubluara dhe vetëm ata që janë në 100% do të luajnë. Mbrojtja mund të jetë me 3 ose 4. Në mesfushë do të ketë ndryshime dhe në sulm padyshim, pasi ka lodhje. Në fillim duhet të flas me lojtarët dhje pastaj do shihni formacionin. Kemi dhe 24 orë ende për të parë. I kemi të gjitha mundësitë, na duhen disa mesfushorë të mirë për të kaluar më para. Me Islandën pamë anën e djathtë që ishte shumë mirë, do të shohim dhe repartet e tjera ku çaluam. Nuk kam vendosur ende. Kam Uzunin dhe Sadikun që janë gati. Mund të jenë tre katër ndryshime dhe do të vlerësohen me tej. Mbrojtja ka bërë mirë, por mund të ketë ndryshim.

Sa i përket problemeve në ekipin kuqezi, Reja tha se ka një përmirësim që nga dita e parë që ai ka ardhur, por që sigurisht do duan kohën e tyre që të zgjidhen përfundimisht. “Nuk i zgjidh dot për një javë a 15 ditë. Do bëjmë maksimumin, po rritemi dhe në krahasim me ndeshjet e mëparshme kemi luajtur më mirë, besoj se jemi dakord për këtë pjesë. Është e qartë që nëse nuk vijnë rezultatet do kritikohem unë, por dua që njerëzit nesër të vijnë në stadium e të na mbështetin, duke pasur durim edhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet në ndonjë moment”.

Për situatën në grupin eliminator, Edi Reja tha se nuk mund të shikojë Turqinë dhe Francën që do të duelojnë për vendet e para, por me Islandën, që u pa edhe para dy ditësh që në Shqipëri mund ta mposhtim. “Nuk mund të flasë për Turqinë dhe Francën, unë duhet të shoh shtëpinë time. Është diçka që nuk ndodh brenda ditës ose javës, ne duam mbështetje dhe nesër besoj se do ta kemi. Objektivi është që skuadra të përmirësoheshe vazhdimisht. Ndeshjet nuk ka përfunduar do të luftojmë deri në fund. Nuk do futemi për barazim, por për të filtruar, e rëndësishme është të dalim nga ndeshja me kokën lart. Nuk më pëlqen të futem me mentalitetin për barazim. Do të hyjmë për të fituar në fushë. Nëse e bëjmë këtë aspekti moral do të jetë në nivel të jashtëzakonshëm. Fitoret janë të mira për të bërë të besosh të ecësh përpara. Lojtarët kanë nevojë të ndihen të shpërblyer për atë që kanë bërë deri tani. Do ta kërkojmë këtë me të gjitha forcat tona.

Në fund për çështjen e kapitenit, Reja tha se nuk përbën asnjë problem për të, si Mavraj ashtu edhe Hysaj. “Nuk ekziston si problem. Nëse do të jetë Mavraj do të jetë ai, nëse jo do të Hysaj. Kjo është zgjedhja përfundimtare, kjo është linja.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë