Kombetarja

Reja nis punën me Kombëtaren, lista e lojtarëve të thirrur nga italiani

Shumë ditë para ndeshjeve të radhës në grup me Islandën dhe Moldavinë, Kombëtarja është grumbulluar në Durrës për të nisur stërvitjen. Trajneri i ri, Edi Reja, nuk ka dashur të humbë kohë dhe ka thirrur lojtarët, të cilët nuk janë më në aktivitet, pasi kanë përfunduar kampionatet ku ata aktivizohen. Bëhet fjalë për një listë paraprake lojtarësh, ndërsa lista zyrtare do të shpallet më 27 maj, kur trajneri italian do të dalë në konferencë shtypi.

Reja do të kryejë sot pasdite seancën e parë stërvitore me 10 futbollistë, 3 nga të cilët janë nga Superiorja dhe të 3 të Partizanit, Hoxha, Trashi dhe Telushi. Këta tre futbollistë bëjnë përjashtim në këtë listë, pasi Superiorja nuk ka përfunduar ende, por trajneri Reja ka dashur t’i ketë nën urdhrat e tij. Lojtarët e tjerë të grumbulluar janë kryesisht nga kampionati grek dhe nga Seria B italiane.

Lojtarët e grumbulluar paraprakisht nga trajneri Reja

Në stërvitjen e trajnerit të ri, siç bën me dije FSHF, do të jenë edhe 12 lojtarë të ekipit Shpresa. Këta lojtarë, të cilët janë grumbulluar nga trajneri Alban Bushi për ndeshjen me Turqinë dhe dy miqësoret me Uellsin, do të stërviten këto ditë me Kombëtaren A, në mënyrë që grupi të jetë sa më i plotë. Kombëtarja luan më 8 qershor ndeshjen e tretë në grup me Islandën, në fushën e kësaj të fundit, ndërsa 3 ditë më pas pret në “Elbasan Arena” Moldavinë. Kuqezinjtë kanë 3 pikë pas 2 ndeshjeve të para dhe mbajnë vendin e tretë në grup, pas Francës dhe Turqisë.

Lojtarët e Kombëtares U-21, që të stërviten me Kombëtaren A këto ditë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë