Kombetarja

Reja në pankinën e Napolit, Duka sqaron të ardhmen e trajnerit të Kombëtares

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për radion italian “Kiss Kiss Napoli”, ku ka folur për disa tema të ndryshme, që nga kombëtarja shqiptare, te rikthimi i tifozëve në stadiume dhe është pyetur për mundësinë e uljes në pankinë të Napolit të Edi Rejas për të dytën herë në karrierën e tij si trajner:

“Reja te Napoli në vend të Gatuzos? Unë i kam dëgjuar këto thashetheme, por nuk di asgjë. Napoli nuk më ka kontaktuar kurrë dhe Reja nuk më ka thënë gjë për mundësinë e të bërit një punë të dyfishtë si trajneri i Shqipërisë dhe i Napolit. Por dua ta bëj të qartë, që është një mundësi për t’u përjashtuar kategorikisht: nuk mund të bëhet, një trajner nuk mund të jetë në një ekip kombëtar dhe në një klub në të njëjtën kohë. Nuk mund të ndodhë. Jam i lumtur që lojtarët shqiptarë po luajnë mirë me ekipet e tyre përkatëse, shikoni për shembull paraqitjen e Xhimshitit të mërkurën me Atalantën. Shpresojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë me ndeshjet zyrtare të muajit mars ”, – tha Duka.

“Bilanci financiar i klubeve evropiane është negativ pa spektatorë në stadiume: ka më pak sponsorë dhe më pak reklama. Bilanci sportiv nuk është i keq, po shkon mirë, ekipet po luajnë dhe nga pikëpamja sportive nuk kanë humbur shumë. Spektatorët në stadiume? Kjo nuk është diçka që varet nga UEFA, por nga autoritetet shtetërore të secilit shtet. Në Angli kanë vendosur ta ndërmarrin këtë hap, ne shpresojmë që të ndodhë së shpejti edhe në pjesën tjetër të Evropës. Shpresa, pra, është që Euro2020 të luhet me 50% të spektatorëve në tribuna. Që finalet e Euro2020 të luhen vetëm në Angli është një mundësi: kanë mbetur edhe 4-5 muaj, le të shohim nëse situata do të ndryshojë ose përndryshe Anglia do të jetë një mundësi”, – thekson kreu i qeverisë i FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë