Kombetarja

Reja ndryshon të tre repartet ndaj Çekisë, kthehet Cikalleshi në sulm

Mbrëmjen e sotme Kombëtarja do të luajë miqësoren e dytë pas asaj të 5 qershorit ndaj Uellsit. Do të jetë një tjetër test i rëndësishëm për trajnerin Reja në funksion të ndeshjeve të shtatorit me Poloninë dhe Hungarinë, dy rivalët direkt në kualifikueset e Botërorit.

Në krahasim më ndeshjen e Kardifit, trajneri Reja ka menduar të bëjë ndryshime në të tre repartet. Gentian Selmani, i cili bindi ndaj Uellsit, do të jetë sërish titullar në portë. Në mbrojtje është provuar treshja Ismajli-Kumbulla-Hoxhallari, por vështirë të mendohet që Gjimshiti, i cili dje doli në konferencë shtypi, të qëndrojë në stol. Abrashi mendohet ta nisë nga stoli dhe Gjimshiti, nëse luan, do të mbajë edhe shiritin e kapitenit.

Hoxhallari mund ta nisë titullar në mbrojtje. Gazeta Si, 8 qershor 2021

Në krahë do të luajë sërish Doka në të djathtë dhe Lenjani në të majtë. Në qendër pritet të ketë një tjetër shans Çekiçi, i cili konsiderohet si një zëvendësues i mundshëm i Memushajt. Treshja do të plotësohet me Keidi Baren dhe Ylber Ramadanin. Abrashi konsumoi shumë energji para tri ditësh dhe pritet ta nisë nga stoli.

Edhe sulmi do të ketë një ndryshim. Sokol Cikalleshi do të marrë vendin e Bekim Balajt, duke u rikthyer kështu dyshe me Rei Manajn. Është kjo dyshja së cilës trajneri Reja i ka besuar më shumë dhe që pritet të jetë titullarë edhe në dy ndeshjet e rëndësishme të shtatorit. Mungesat janë Strakosha, Berisha, Hysaj, Roshi, Uzuni, Gjasula dhe Memushaj.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Selmani
Ismajli Kumbulla Hoxhallari (Gjimshiti)
Doka Çekiçi Bare Ramadani Lenjani
Cikalleshi Manaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë