Kombetarja

Reja ndryshon sulmin, më pak centimetra, më shumë shpejtësi ndaj Moldavisë

Ndeshja me Moldavinë duhet fituar patjetër për të mbetur në garë të paktën për vendin e tretë, që në një grup si ky i yni, me kundërshtarë si Franca, Turqia dhe Islanda, gjithsesi do të ishte sukses. Ndeshja me Islandën, pavarësisht humbjes, është komentuar pozitivisht sa i takon lëvizjeve të ekipit në fushë me skemën e re të aplikuar nga trajneri Edi Reja në debutimin e tij në stolin kuqezi.

Po me rreshtimin 3-5-2 Shqipëria do të luajë edhe sot në mbrëmje ndaj Moldavisë në stadiumin “Elbasan Arena”. Defekti që duhet rregulluar patjetër në këtë ndeshje është finalizimi i aksioneve, pra efikasiteti i skuadrës në lojën sulmuese. E tha disa herë trajneri Reja në konferencën e djeshme për shtyp, ku gjithashtu pohoi se do të ketë disa ndryshime në formacion. Mund të jenë 3-4 ndryshime. Mbrojtja pritet të jetë po ajo, me treshen Ismajli-Dermaku-Veseli, pasi Mërgim Mavraj, i cili e ka përfunduar dënimin, ka pasur një problem fizik dhe me shumë mundësi nuk luan edhe në këtë ndeshje.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Modavisë

Dy ndryshime pritet të jenë në mesfushën me 5 lojtarë. Vendin e Migjen Bashës pritet ta marrë Ergys Kaçe. Trajneri italian theksoi se ndonjë lojtar i lodhur mund të pushojë, duke iu referuar pikërisht këtij ndryshimi. Kaçe luajti si zëvendësues në Islandë dhe duket se i ka dhënë sinjale pozitive trajnerit. Në krahun e majtë ka një balotazh mes Ermir Lenjanit dhe Naser Alijit dhe këtë herë, duke qenë se edhe kundërshtari është më i lehtë në letër, pritet që t’i besohet të dytit.

Sulmi, sipas të gjitha gjasave, do të jetë i ri. Armando Sadiku e nisi nga stoli ndeshjen në Rekjavik, kurse sot do të ketë një fanellë titullari, sepse, siç pohoi trajneri Reja, ai ka më shumë konfidencë me golin. Sulmuesi tjetër mund të jetë Uzuni, i cili gëzon një formë të mirë fizike. Me sa duket, trajneri italian ka menduar të ulë centimetrat dhe të luajë me lojtarë më të shpejtë, që skuadra të ketë më shumë befasi dhe ta godasë më shpesh portën kundërshtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë