Kombetarja

Reja motivon kuqezinjtë: Ndaj Francës kam nevojë për 11 luanë në fushë

Në prag të ndeshjes së pestë eliminatore, trajneri Reja ka dalë në konferencën për shtyp bashkë me kapitenin Mërgim Mavraj. Sipas trajnerit kuqezi dihet vështirësia e kësaj ndeshje, por që në asnjë moment nuk do të thotë se ekipi do e humbasë ndeshjen pa hyrë në fushë.

Sipas Rejas ne do të përpiqemi të eliminojmë gabimet në mbrojtje dhe të përfitojmë në maksimum nga ato që do të bëjnë transalpinët. “Këshillat për lojtarët që të luajnë kundër një skuadre si Franca janë ato që të mos bëhet asnjë gabim, të mundohemi të mbyllim hapësirat se janë të aftë e të shpejtë teknikisht e duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Përveç vëmendjes duhet të kemi edhe një gjendje të mirë fizike dhe shfrytëzojmë hapësirat që do na lejojnë, se kemi në përbërje lojtarë të tillë. Nëse Franca do të gabojë diçka, ne duhet të jemi gati të përfitojmë.

Për mënyrën e lojës së francezëve, Reja tha se e njeh pak a shumë dhe do të përpiqet që t’ua prish sa të mundet. “Deshamp është një mik e mbi të gjitha një njeri i madh dhe trajner i madh. Kjo është e rëndësishme. E di si luan, nuk rrezikon, ka ekuilibër në aspektin taktik dhe ka lojtarë që mund të luajnë në kundërsulm e janë të shpejtë, do të na lërë pak hapësira dhe nëse ai do të gjejë hapësira do t’i shfrytëzojë se ka lojtarë me shumë vlerë. Nuk them se do të luajë në kundërsulm por do të lërë pak, pasi di të mbyllet mirë. Me siguri do luajmë në mesfushë me shpejtësi e agresivitet se duke marrë në konsideratë karakteristikat e Francës janë të fortë fizikisht por edhe të shpejtë, sidomos Grizman. Ndaj duhet t’i hedhim një sy se nuk mund ta lëmë të lirë se është ai që mund të bëjë lëvizjen në çdo moment. Ndaj duhet të bëjmë dublimin e markimit, sidomos në mesfushë ku ka lojtarë shumë të aftë.”

Duke u ndalur në repartin e mbrojtës së Shqipërisë, Reja veçoi rëndësinë që ka për ekipin Hysaj, por theksoi edhe faktin se i gjithë ekipi duhet të bëjë mirë dhe se një lojtarë i vetëm nuk mjafton. Hysaj është lojtar i rëndësishëm dhe ka eksperiencë ndërkombëtare dhe në mbrojtje është shumë e aftë. Por nuk mjafton vetëm Hysaj se e gjithë skuadra duhet të luajë mirë, një lojtar nuk ka zgjidhur kurrë problemet. Duhet të jemi një grup i fortë, me dublime markimi dhe në kundër zbritje duhet të jemi të aftë të shfrytëzojmë hapësirat e Francës. Ata do të mundohen të zgjidhin shpejt problemin, por ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, edhe pse nuk më pëlqen të mbyllet ekipi në mbrojtje. Dua të bëjmë presing. Kemi ne detyrën të vjedhim sa më shpejt topin, nëse ia dalim do të vëmë në vështirësi Francën duke pasur në konsideratë idenë se kanë lojtarë të rëndësishëm. Nuk është vetëm Hysaj, unë kam nevojë për 11 luanë të mëdhenj ndaj Francës”

Deshamp na njeh? Lajm i keq se sa më pak të na njohë, më mirë është. Ne të gjithë shohim kundërshtarin. Mendoj se ai do të mundohet të verë ekipin në mënyrën e mirë për të fituar ndeshjen, ka thënë se e respekton Shqipërinë dhe më bën krenar se Deshamp nuk flet kot se na njeh, na ka parë. Kemi bërë mirë me Islandën, kemi fituar me Moldavinë edhe pse me vështirësi, skuadra është e organizuar, por nuk ka rezultat të bërë, çdo ndeshje duhet luajtur para se të caktohet fituesi. Ndaj besoj shumë te djemtë, do të jetë e vështirë të fshihemi, jemi këtu për të bërë një paraqitje të mirë e mundësisht për të marrë rezultat.

Në fund edhe për stilin e lojës së “gjelave”, Reja tha se Shqipëria mund t’i kundërpërgjigjet në të njëjtën monedhë. “E kemi provuar këtë javë se e dimë aftësinë e francezëve se kanë lojtarë të rëndësishëm në ajër. Edhe ne nuk jemi keq, kemi në mbrojtje sidomos lojtarë të aftë në lojën në ajër, por jo vetëm në mbrojtje, edhe në sulm. Nëse na shfaqet mundësi me goditje dënimi apo këndi, do të vëmë në vështirësi Francën, kjo është detyra jonë, dëshira jonë për këtë ndeshje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë