Kombetarja

Reja: Mentaliteti problem në Superiore, synojmë kualifikimin në Botëror

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, në një intervistë për “Top Channel” ka folur për kampionatin shqiptar. Ai ka theksuar se problemi më i madh është mentaliteti dhe këtu ka evidentuar çështjen e ndërhyrjeve në punën e trajnerit nga drejtuesit e ekipeve.

“Kampionati shqiptar nuk është i keq. Më tepër se mungesë lojtarësh, mendoj se është çështje mentaliteti. Nuk arrij të kuptoj çfarë ndodh rreth një klubi këtu, kur dëgjoj që presidentët ndërhyjnë te puna e trajnerit. Kam parë gjëra, që në Itali nuk mund të imagjinohen. Presidenti mund ta takojë trajnerin dhe të bisedojë me të, por atë që ke zgjedhur duhet ta dëgjosh dhe duhet të kuptosh çfarë problemesh ka”, - u shpreh Reja.

Kombëtarja feston vendin e parë në Ligën e Kombeve. Gazeta Si, 16 shkurt 2021

Pastaj italiani ka komentuar zërat për një ofertë të Napolit për të: “E di që presidenti De Laurentis më vlerëson shumë dhe e falenderoj. Ka telefonuar sa herë që ka pasur vështirësi, por fola me presidentin Duka dhe i thashë se do të vazhdojmë me programin që kemi bërë. E kam bërë këtë zgjedhje tashmë, në Itali nuk do të drejtoj më”, - ka shpjeguar trajneri i Kombëtares.

Me shumë mundësi, trajneri veteran do ta mbyllë karrierën në krye të kuqezinjve. “Në futboll ndodh gjithçka. Do të më pëlqente të rrija sa më shumë të jetë e mundur te Shqipëria, sepse po bëjmë një punë të mirë. Eliminatoret e Botërorit do të jenë një test i madh. Nuk jemi pa objektiv, synojmë kualifikimin”, - ka theksuar në fund Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë