Edi Reja duket se po ndjek një politikë totalisht ndryshe nga Kristian Panuçi edhe sa i përket afrimeve nga kampionati shqiptar në kombëtare. Tekniku italian ishte në stadium ndeshjen e fundit, Tirana-Kastrioti, por lojtarin nga Superliga, duket se nuk e ka parë në këtë sfidë. Bëhet fjalë për vlonjatin, Bruno Telushi që pritet të jetë përforcimi më i fundit i kombëtares në repartin e mesfushës.
Lajmi i bujshëm për 28-vjeçarin bëhet i ditur nga Supersport, që citon burime të afërta pranë trajnerit kuqezi. Bruno Telushi ishte një nga liderët e Partizanit këtë sezon në misionin për të rikthyer në kryeqytet titullin kampion të munguar prej 26 vitesh. Telushi luan si shkatërrues, aty ku në dy vitet e fundit kombëtarja shqiptare ka pasur disa probleme, pasi nuk janë gjetur zëvendësuesit ideal të Kukelit dhe Bashës.
Bruno Telushi bëhet kështu i treti futbollist i Partizanit që afrohet në ekipin kombëtar. Përveç Alban Hoxhës që grumbullohet rregullisht, madje ishte dhe në finalet e kampionatit europian 2016, në mars me kuqezinjtë u grumbullua edhe Lorenc Trashi. Ky i fundit nuk dihet ende nëse do të jetë pjesë e kombëtares edhe për dy ndeshjet e qershorit. Shqipëria do të luaj më 8 qershor me Islandën në transfertë dhe më 11 qershor me Moldavinë në “Elbasan Arena”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.