Kombetarja

Reja me 12 mungesa, Shqipëria ndryshon nga porta në sulm

Me kapitenin Hysaj të skualifikuar, Roshin të dëmtuar, Sadikun, Balajn dhe Cikalleshin të lënë jashtë liste, si dhe 5 lojtarët që nuk lejohen nga klubet e tyre të grumbullohen në Kombëtare, Berisha, Selahi, Gjasula, Kamberi dhe Ramadani, mungesat e sigurta të trajnerit Reja bëhen 10. Vrioni dhe Strakosha mbeten në dyshim, i pari në varësi të vendimit të klubit dhe i dyti për probleme fizike. Pra, mungesat pritet të shkojnë në 12, më shumë se një skuadër e tërë, që do të thotë se trajneri italian duhet të ndryshojë gjithçka në formacion.

Porta kuqezi me shumë mundësi do të ketë një titullar të ri ndaj Kazakistanit. Nëse Strakosha nuk ia del, Reja do të zgjedhë njërin mes Hoxhës dhe Selmanit. Portieri i Partizanit ka më shumë përvojë, por i mungojnë ndeshjet zyrtare, kurse Selmani po paraqitet shumë mirë në Turqi.

Për mbrojtjen është pak më e lehtë, pasi edhe alternativat janë më të shumta. Nëse trajneri Reja qëndron fanatik ndaj skemës së tij 3-5-2, Kumbulla do t’i bashkohet Gjimshitit dhe Dermakut. Kumbulla dhe Gjimshiti janë të familjarizuar me mbrojtjen me tre, pasi kështu luajnë edhe te klubet e tyre. Edhe Dermaku, i cili sapo ka kaluar te Leçe, po ia merr dorën kësaj skeme në Kombëtare. Mihaj, Veseli dhe Çepele janë gati në çdo moment për trajnerin Reja.

Formacioni i mundshëm i Kombëtares ndaj Kazakistanit. Gazeta Si, 6 tetor 2020

Në krahët e mesfushës, në mungesë të kapitenit Hysaj, lojtari i rolit për ta zëvendësuar është Albi Doka, por nuk do të ishte habi nëse do të shihnim Uzunin apo ndonjë lojtar tjetër. Në të majtë këtë herë Trashi ka konkurrencën e Lenjanit, një lojtar me shumë përvojë që i ka dhënë shumë Kombëtares. Në qendër, Bare është i padiskutueshëm, Abrashi mund të zëvendësojë Gjasulën, ndërsa lojtari i tretë mund të jetë Kallaku, ish-kapiten i Shpresave dhe një lojtar që manovron mirë me topin. Qazim Laçi është alternativa.

Në sulm, Manaj mund të ketë partner Armando Brojën, por mund të kemi edhe një dyshe të re, Broja-Uzuni. Këta të fundit janë dy sulmues të shpejtë, teknik dhe që e godasin portën nga çdo pozicion, ndaj trajneri Reja mund ta marrë në konsideratë këtë variant. Seferi dhe Çekiçi mund të kenë ndonjë minutë në dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve. Një kompeticion që në fund të fundit zëvendëson miqësoret dhe trajneri Reja mund të eksperimentojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë