Kombetarja

Reja kthen Cikalleshin dhe surprizon me Kumbullën, jashtë dy lojtarët e Partizanit

Trajneri Edi Reja ka publikuar listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet eliminatore të Euro 2020 ndaj Islandës në transfertë dhe ndaj Moldavisë në “Elbasan Arena”. Konfirmohet mungesa e portierit Tomas Strakosha për shkak dëmtimi. Një listë me pak ndryshime nga ajo e paraardhësit të tij në stolin kuqezi, Kristian Panuçit. Bie në sy emri i mbrojtësit të ri, Marash Kumbulla, pjesë e Veronës në Itali. Mungon në dy ndeshjet e radhës mbrojtësi i Atalantës, Berat Gjimshiti, i cili ka pasur probleme fizike. Rikthehen në ekip disa lojtarëve, ku spikat Sokol Cikalleshi, sulmuesi kavajas që luan në kampionatin turk. Reja, ndryshe nga Panuçi, ka përfshirë në listë tre sulmues qendre, të cilët janë Bekim Balaj, Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi. Siç pritej, kthehet në Kombëtare edhe Ermir Lenjani, i lënë jashtë nga Panuçi.

Lista e Kombëtares

Gjatë këtyre ditëve, trajneri italian ka punuar në kompleksin “Tropikal” me një grup të reduktuar lojtarësh nga Kombëtarja A, që u plotësua me një grup tjetër lojtarësh të marrë nga Kombëtarja U-21. Mes tyre ishin edhe lojtarët e Partizanit, Lorenc Trashi dhe Bruno Telushi, por që të dy kanë mbetur jashtë listës zyrtare të Rejës. Të vetmit përfaqësues të kampionatit shqiptar në listën e tij janë portierët Alban Hoxha i Partizanit dhe Gentian Selmani i Laçit.

Shqipëria mban vendin e tretë në Grupin H, pas dy ndeshjeve të para. Kuqezinjtë u mundën 0-2 në “Loro Boriçi” nga Turqia dhe më pas fituan 0-3 në fushën e Andorrës. Franca dhe Turqia kryesojnë grupin me pikë të plota. Trajneri Reja do të debutojë në stolin e Shqipërisë në ndeshjen me Islandën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë