Kombetarja

Reja: Kishim përballë një mal me muskuj, tentuam të shënonim me kundërsulm

Trajneri Reja u shpreh pas humbjes me Anglinë se të tijtë bënë një ndeshje të mirë. Ai theksoi se pret që të ketë kritika, por evidenton faktin se duhet pasyr mirë parasysh se kush ishte përballë kuqezinjve.

“U tërhoqëm në mbrojtje për të tentuar me kundërsulm të bënim diçka, - tha pas ndeshjes trajneri italian. - Anglia nuk bëri asnjë gjuajtje në portë përpara golit, që ishte për fatin tonë të keq. Uzuni pati një rast shumë të mirë dhe do të kishim edhe raste të tjera. Anglia ka lojtarë të nivelit botëror, të cilët të bllokojnë menjëherë, nuk të lënë tam bash topin. Pres kritika, por mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë.

Moment nga ndeshja Shqipëri-Angli, 0-2. Laçi në aksion. Gazeta Si, 28 mars 2021

Cikalleshi nuk ishte në nivelin më të mirë për shkak të anës fizike, por edhe asaj psikologjike. Rasti i Uzunit ishte mëkat, sepse do të kalonim në avantazh dhe do të ishte emocion i madh. Do të kishte më tepër nervozizëm tek Anglia. Keni disa koncepte të gabuara ndonjëherë për futbollin, edhe nëse do kishim fituar apo barazuar, do të kishte prapë kritika. Kështu mendojnë disa njerëz këtu.

Nuk është se ne nuk dëshironim ta mbanim topin, por kujtoni se më cilën skuadër po luanim. Është e vështirë të mbash topin ndaj Anglisë. Ndryshe të ishin gjërat, nëse nuk pësonim gol në pjesën e parë. Ndaj një ekipi të madh si Anglia, kemi bërë një ndeshje të mirë”, - theksoi Reja.

Për ndryshimet e bëra në formacion, trajneri i Kombëtares u shpreh: “Është normale të bësh ndërrime, sepse luhen ndeshje çdo tri ditë dhe nuk mund të përballohen. Pastaj, kam grumbulluar 28 lojtarë dhe duhet të di çfarë grupi kam. E përgatitëm ndeshjen që t’i hapnim probleme Anglisë, por nuk na shkoi shumë mirë. Kishim përballë një mal me muskuj, me lojtarë që jo vetëm që janë të fortë fizikisht, por janë edhe shumë të shpejtë. Megjithatë, po të shënonim me Uzunin, situata do të ndryshonte”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë