Kombetarja

Reja kërkon të guxojmë ndaj Islandës, sqaron edhe ‘çështjen Grezda’

Në prag të ndeshjes eliminatore me Islandën, që do të jetë e para për të në stolin e kombëtares shqiptare, Edi Reja ka folur për mediet nga Rejkjaviku, kryeqyteti i Islandës. Trajneri kuqezi ka folur me pozitivitet për atmosferën në ekip, duke thënë se lojtarët janë munduar që t’i përthitin idetë e tij për mënyrën e lojës dhe skemën e re.

Për Rejan, ekipi duhet të zbresë me guxim në fushën e lojës dhe jo të presë vendasit. Sipas trajnerit 73-vjeçar, ekipi duhet të jetë i ekuilibruar dhe të luaj në grup në të gjitha sektorët, si në mbrojtje edhe në sulm. “Filozofinë e lojës sime e kanë kuptuar, por duhet kohë, duhen ndeshje zyrtare. Në 15 ditët e deritanishme kam parë dëshirë të madhe dhe kam kuptuar elementët e çdo individi. Kjo skuadër ka treguar se di ta interpretojë filozofinë e lojës sime dhe besoj se do të marrim rezultate. Duhet të kemi besim se skema e lojës funksionon. Do të doja që skuadra të ishte e organizuar, është një aspekt thelbësor për të pasur ekuilibër në fushë. Duhet pjesëmarrje e të gjithë lojtarëve në fushë, edhe mbrojtësit duhet të ndihmojnë në sulm. Mbi të gjitha, duhet të konkludojmë në sulm. Kur skuadra ka ekuilibër dhe është e organizuar mirë në lojë, krijon raste dhe shënon. Shpresojmë ta bëjmë këtë në Islandë. Filozofia është gjithmonë që të hysh në fushë dhe të luash, jo të rrish të mbrohesh. Islanda është një skuadër me lojtarë shtatlartë dhe do të synojë lojën në ajër. Duhet të kemi kujdes, por edhe ajo ka pikat e saj të dobëta. Dua që skuadra ime të hyjë në fushë i bindur për të marrë rezultat.”

Më pas duke folur për ekipin e Islandës, Reja tha se bëhet fjalë për një kundërshtar shumë të fortë dhe të organizuar. Por sipas tij nuk duhet pritur që Islanda të bëjë lojën e saj dhe ta frenojmë, por Shqipëria do të zbresë të bëjë lojën e saj. "Islanda është e organizuar, e di se çfarë kërkon në fushë, bën veprime të sinkronizuara. Kanë Sigurdson në skuadër, një lojtar shumë i mirë, me kualitet dhe i fortë fizikisht. Kanë edhe krahët që luajnë mirë. Por ne duhet të futemi në fushë që ta bëjmë ne ndeshjen dhe jo kundërshtari. Do të bëjmë gjithçka që ta vëmë Islandën në vështirësi. Janë të rrezikshëm dhe duhet të jemi të vëmendshëm. Ne do të përpiqemi që të shkojmë në fushë dhe të bëjmë lojën tonë. Nëse do jemi në pritje të tyre ata do të bëhen shumë të rrezikshëm."

Një pjesë të rëndësishme të kësaj konference, trajneri Edi Reja ia ka kushtuar edhe “çështjes Grezda”. Sipas Rejas, nuk ekziston një çështje e tillë dhe se largimi nga grumbullimi ka qenë vendimi i sulmuesit gjakovar. “Nuk ka një çështje Grezda. Kemi pasur pikëpamje të ndryshme. Ai ka marrë këtë vendim personal dhe përgjegjësia është e tij. Nuk është për këto dy ndeshje, kështu mendoi. Janë probleme të tij, jo të mia apo të FSHF-së. Në të ardhmen situata mund të jetë ndryshe. Tani kemi ndeshjen dhe e gjithë vëmendja është aty. Janë gjëra që shkojnë në plan të dytë, sepse rëndësi ka ndeshja. Ndoshta nuk më njihni dhe mund të ketë keqkuptime.”

Për formacionin, Edi Reja nuk preferoi që të jap detaje, duke thënë se në darkë do ua bëj me dije edhe futbollistëve. “Formacionin do ta mësoni nesër. Kam thënë se do të luaj me dy sulmues, ky është një projekt, por nuk është e thënë se do të luajmë patjetër me dy sulmues. Më shqetëson loja në ajër e Islandës, goditjet standarde, kroset nga këndi, që mund të na krijojnë probleme. Por kanë edhe cilësi të tjera, janë të shpejtë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë