Kombetarja

Reja: Kam skuadër inteligjente, në fushë zbret Shqipëria dhe jo individi

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka dalë në konferencë shtypi bashkë me kapitenin Elseid Hysaj. Ai ka folur për ndeshjen me Andorrën, duke theksuar se sa shumë rëndësi ka ajo dhe se duhet fituar patjetër. Ka komentuar gjithashtu mungesën e Taulant Xhakës, skemën e lojës dhe mundësinë e debutimit me fanellën kuqezi të Kamberit apo Seferit.

“Kam një skuadër me djem inteligjentë, ata e dinë si të sillen në ndeshje të tilla. Ua kam thënë se kjo është pika jonë e referimit, ndeshja me Andorrën. Nëse nuk fitojmë Andorrën, atëherë gjkithçka kemi bërë deri tani, do të zhvlerësohet. Andorra humbi në Turqi në minutën e 90-të, nuk ka skuadra të lehta. Duhet të jemi në 100% në çdo pikëpamje dhe nuk mund të nënvlerësojmë në asnjë moment. Motivimi vjen vetë. Dua që të gjithë tifozët që kanë mundësi, të vijnë dhe ta mbështesin skuadrën në ndeshjen me Andorrën. Po të ishte në dorën time, do të trokisja derë më derë që t’i ftoja ata. Në stadium vihet edhe për t’u dëfryer dhe për t’u dhënë kurajë djemve.

Cikalleshi ka pasur rendiment në ndeshjet që ka luajtur, por kam një grup me 5 lojtarë në sulm dhe ata janë aty-aty. Kemi Balajn, Manajn që është integruar mirë, kemi marrë edhe Kamberin, kemi thirrur sërish Uzunin. Po ashtu, është edhe Seferi. Kanë vlera të gjithë, nëse nuk luan njëri, luan tjetri, rëndësi ka që ata që do të zbresin në fushë, të jenë në 100% të mundësive të tyre.

Reja dhe Hysaj në konferencë shtypi. Gazeta Si, 13 nëntor 2019

Xhaka? Bashkëpunëtorët e mi kanë folur me të dhe i kanë thënë se ishte grumbulluar dhe se do të luante në një nga dy ndeshjet. Ai na ka thënë se ka dalë 10 minuta në ndeshjen e fundit për probleme muskulore. Ka preferuar të qëndrojë në klubin e tij për t’u rehabilituar, është një zgjedhje e tij dhe jo e jona. Kemi mentalitetin e duhur në skuadër, jemi të qetë dhe nuk krijojmë probleme. Vendimet i merr trajneri dhe mban ai përgjegjësi, një lojtar duhet të jetë gati gjithmonë. Në fushë zbret Shqipëria, jo një lojtar i caktuar, qoftë ai edhe shumë i rëndësishëm, në këtë rast Xhaka. Grezda nuk ka pranuar një situatë të caktuar dhe ka ikur, më vjen keq për këtë. Nuk ka situata tragjike, nuk ka çështje. Ka lojtarë që largohen vetë. Unë shoh lojtarët dhe bëj zgjedhjet e mia, për të cilat mbaj përgjegjësi. Brenda grupit tonë, nuk ka probleme. Nëse dikush krijon probleme, nuk bën pjesë në këtë grup.

Skema? Për t’u përshtatur me skemën duhet të punosh shumë. Unë nuk kam kohë dhe e kam nisur me këtë skemë. Kemi dy sulmues, dy lojtarë anësorë dhe dy mesfushorë që avancojnë. Me këtë skemë kemi gjithmonë katër lojtarë në zonën kundërshtare. Nëse luan me skemën 4-3-3, nëse nuk ke dy anësorë të mirë, bëhet e vështirë. Jemi mësuar me këtë skemë dhe kemi arritur një lloj mekanizmi që na ka dhënë garanci. Nuk mund të ndryshojmë në këtë moment vendimtar. Më vonë të shohim, por tani për tani kemi këtë zgjedhje. Edhe djemtë ndihen më mirë. Moduli 3-5-2 nuk është mbrojtës. Janë vetëm tre mbojtës dhe një mesfushor që i ndihmon ata, të tjerët kanë detyra sulmuese.

Kamberi dhe Seferi kanë mundësi të luajnë ndaj Andorrës, nuk e di nga fllimi apo si zëvendësues. Mund të kemi debutimin e tyre me Kombëtaren dhe kemi mundësi t’i njohim më mirë. Kamberi ka pasur një problem dhe është stërvitur veç sot, por të shohim, nëse stafi mjekësor më jep miratimin, do të luajë. Për Francën do të flasim pas ndeshjes me Andorrën”, - ka thënë mes të tjerash trajneri Reja.

Elseid Hysaj, kapiteni i kuqezinjve. Gazeta Si, 13 nëntor 2019

Hysaj: Jemi grup fantastik, të arrijmë rekordin e pikëve
Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj, ka theksuar: “Jemi të bashkuar, jemi një grup fantastik, çuna të rinj, që po krhehen në një grup të mirë për të ecur përpara. Jam mirë dhe po medojmë për Andorrën, jo për Francën, sepse duhet të arrijmë rekordin e pikëve. Stadiumi? Një motiv më shumë dhe do të kemi një dorë nga tifozëria, por luajmë ndaj kampionëve të botës dhe do të jetë e vështirë. Të gjithë po flasim për Fancën, por e dimë që ndeshja me Andorrën është më e vështirë. Jemi të qetë dhe të përqendruar për këtë ndeshje. Taktikisht? Si me Moldavinë, do të sulmojmë dhe do të mundohemi të mos pësojmë gol. Shpresojmë që stadiumi të jetë plot në çdo ndeshje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë