Kombetarja

Reja justifikohet me lodhjen: Gabimet ndodhin, do ulemi t’i analizojmë

Trajneri Edi Reja tha pas ndeshjes se rezultati 3-1 nuk tregon realisht atë që dha skuadra në fushë. Ai komplimentoi futbollistët për impenjimin dhe theksoi se lodhja është ndjerë, pasi janë zhvilluar dy ndeshje me dy kundërshtarë shumë të fortë fizikisht. Italiani u shpreh gjithashtu se duhen analizuar me qetësi gabimet:

”Ishim pak të lodhur, në këtë periudhë nuk mund të pretendosh të japësh 100%. Më vjen keq që humbëm me këtë rezultat, 2-1 do ishte më e drejtë. Patëm rastet tona, ndodhi edhe ai vendim i padrejtë i gjyqtarit, por duk do merremi me gabimet arbitrore, sepse ishte miqësore. Disa gjëra pozitive po vijnë dalëngadalë.

Kuqezinjtë festojnë golin e Cikalleshit. Gazeta Si, 8 qershor 2021

Për impenjimin skuadrës i vendos notën 10, lojtarët dhanë maksimumin pa u tërhequr asnjë moment. Kemi luajtur me dy skuadra shumë të forta fizikisht, Uellsin dhe Çekinë, që kur kundërsulmojnë, është e vështirë t’i ndalësh. Duhet të përmirësojmë pasin final. Me Uellsin u përpoqëm të zotëronim më shumë topin dhe një pjesë loje ia dolëm. Gabimet? Ndikoi lodhja, me Uellsin ishim më të freskët. E rëndësishme është të ulemi dhe të analizojmë gabimet që ndodhin”, - tha pas humbjes në Pragë trajneri Reja.

Italiani komentoi me pak humor edhe momentin e rrëzimit nga lojtari çek: ”Një herë u rrëzova kur isha në Shqipëri gjatë një konference, herën e dytë në Uells, shpresojmë të kem mbaruar me kaq. Sigurisht, kur përplasen me mua dëmtohen edhe kundërshtarët, sepse jam fizik i fortë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë