Kombetarja

Reja i lumtur për fitoren e parë, por i pakënaqur me mbrojtjen

Fitorja e parë me Shqipërinë pas asaj disfate me Islandën e ka lënë të kënaqur trajnerin Edi Reja. Italiani tha se një ndeshje e tillë duhej fituar me çdo kusht dhe i vjen mirë për atë që skuadra tregoi në fushë. 73-vjeçari theksoi se një rezultat tjetër përveç fitores në këtë ndeshje do të bëhej makth për ekipin tonë. “Na duhej fitorja. Luajtëm, është e rëndësishme loja që bëmë. Filluam mirë. Fitoren që na duhej, e arritëm. Djemtë ishin të qetësuar, edhe pse humbëm pikët në Islandë. Nëse nuk do fitonim, do kishte frikë për të ardhmen.”

Reja ka sqaruar edhe vendimet e tij taktike në këtë ndeshje, duke thënë se për të gjithë lojtarët që thirren janë të vlefshëm. “Unë kam një grup rreth 25 futbollistë, të gjithë janë disponibël. Duhej pak pushim nga ndeshja me Islandën. Duhej të provoj disa futbollistë. Në 15 ditë nuk mund të bëj gjithçka.”

Por duke folur pas ndeshjes, Reja nuk i ka kursyer edhe kritikat, sidomos për repartin e mbrojtjes. “Në mbrojtje kishim 4 mbrojtës, dhe 3 më përpara. Nuk mund të fitojmë pa djersitur, pa vuajtur, çdo vuajtje sjell dhe fitoren. Në mbrojtje patëm pak probleme. Skuadra zhbalancohet shpejt. Me Roshin dhe Cikalleshin, patëm një frymëmarrje dhe shënuam.”

Pas ndeshjes kanë folur edhe dy protagonistë në fushën e lojës. Kapiteni Mërgim Mavraj dhe autori i golit të parë, Cikalleshi thanë se fitorja në këtë ndeshje të parë ishte me shumë rëndësi për ecurinë e ekipit.

Për sulmuesin kavajas, Cikalleshi kjo ndeshje kishte vështirësitë e saj dhe merr një vlerë të veçantë për mënyrën sesi erdhi. “Jam shumë i lumtur që shënova dhe arritëm të fitonim. E dinim që do ishte e vështirë deri sa të gjenim golin e parë. Kthimi i Roshit ishte potent, siç ishte dhe shpërthimi në krahë. Bëri kthimin më të mirë. Më ndihmoi edhe mua të shënoja. Me Uzunin ishte hera e parë që luaja, me Balajn kam vite që luaj. Edhe në Islandë bëmë ndeshje shumë të mirë. Ndihem mirë me të dy, me thënë të drejtën. Ato i vendos trajneri. Rëndësi ka fitorja dhe që funksionoi ekipi. Ndihem shumë më mirë në majën e sulmit. Duke qenë më afër portës, kam mundësi të godas dhe të jem më afër golin.”- tha Cikalleshi.

Ndërsa Mavraj ka folur edhe për skemën e re të lojës së ekipit, që sipas tij ka të mirat dhe të këqijat e saj. “Ishte hera e parë që mungova kaq shumë, isha i dëshpëruar nga kartoni në ndeshjen e fundit. Kemi luajtur mirë edhe me Islandën. Si kapiten, mërzitesh duke parë shokët që humbasin, por rikthehemi me këtë fitore. Kjo nuk do të thotë asgjë, mbajmë me distancë Moldavinë dhe Andorrën, por të paktën meritonim diçka në Islandë. Fitorja sot ishte e merituar. Çdo skemë i ka anët e veta pozitive dhe negative. Jemi në këtë skemë, dhe duhet ta pranojmë.”- u shpreh Mërgim Mavraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë