Kombetarja

Reja i kishte në listë, 5 talentet që humbën ftesën kuqezi nga pandemia

Shqipëria do të zhvillonte dy ndeshje miqësore në muajin mars, ndaj Sllovenisë dhe San Marinos. Trajneri Edi Reja, kishte bërë gati listën e lojtarëve të grumbulluar, ku do të kishte disa surpriza, por tashmë gjithçka është sfumuar nga pandemia e koronavirusit dhe lojtarët që ishin në planet e teknikut kuqezi duhet të presin.

Në një intervistë për “Top-Chanel”, trajneri Reja pohon se përveç Kamberit dhe Brojës, që dihej se do të thirreshin në këto dy miqësore, në liste kishte edhe Qazim Laçin, Jon Mersinajn dhe Endri Çekiçin. “Më vjen keq që i humbëm dy miqësoret me Slloveninë dhe San Marinon. Kisha në plane lojtarë të rinj si Laçi, Mersinaj, Çekiçi, Kamberi dhe Broja, të cilët do t’i shihja më mirë”, - ka thënë mes të tjerash trajneri italian.

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja. Gazeta Si, 6 maj 2020

Nga emrat e përmendur, Reja duket se kërkon të freskojë të tre repartet. Kamberi dhe Broja janë emrat e rinj të sulmit, Çekiçi do t’i jepte më shumë fantazi skuadrës, Laçi do forconte mesin e fushës dhe Mersinaj qendrën e mbrojtjes. Përveç Kamberit, janë të gjithë futbollistë që kanë qenë pjesë e Kombëtares U-21, madje Qazim Laçi edhe kapiten i këtij ekipi. Laçi, 24 vjeç, luan në Francë me AC Ajacio, Mersinaj, 21 vjeç, në Kroaci me Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa Çekiçi, 23 vjeç, në Slloveni me Olimpijan e Lubjanës. Janë të tre lojtarë premtues, ndërsa për Brojën dhe Kamberin, që luajnë përkatësisht me Çelsin dhe Gllasgou Rejnxhërs, nuk ka nevojë për shumë komente.

Jon Mersinaj, mbrojtësi që ishte në planet e Rejas. Gazeta Si, 6 maj 2020

“Duam të fitojmë grupin në eliminatoret e ardhshme, ku do ndeshemi me Bjellorusinë, Lituaninë apo Azerbajxhanin. Ka parë një rritje të nivelit të Shqipërisë për aq kohë sa e drejtoj këtë skuadër. E kemi treguar në ndeshjet me Islandën dhe Turqinë. Na prishi punë ndeshja me Andorrën, pasi Franca dihet se kush është. Duam ta ndjekim më shumë kampionatin shqiptar, është kërkesë e presidentit Duka”, - ka pohuar gjithashtu trajneri Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë