Kombetarja

Reja humbet 3 lojtarë para Bjellorusisë, Ismajli mungesa e madhe. Zëra për Covid në Kombëtare

Kuqezinjtë kanë zhvilluar sot paradite stërvitjen e fundit në Shqipëri, ndërsa pasdite do të udhëtojnë drejt Minskut, ku të premten do të luajnë ndeshjen e parë në Ligën e Kombeve ndaj Bjellorusisë. FSHF-ja ka bërë me dije se kanë dalë edhe përgjigjet e testeve të Covid-19, ku lojtarët, stafi dhe i gjithë delegacioni kanë rezultuar negativë. Në një moment u tha se tre lojtarë kanë rezultuar pozitivë, madje edhe nga FSHF-ja u pranua fillimisht e më pas u mohua.

E sigurt është se trajneri Edi Reja ka humbur tre lojtarë para Bjellorusisë për shkak dëmtimesh. Ata janë Ardian Ismajli, Ylber Ramadani dhe Hysen Memolla, të cilët nuk do të jenë pjesë e grupit, sepse nuk mund të riaftësohen në kohë. Mungesa e madhe është ajo e Ismajlit, një titullar i padiskutueshëm në formacionin e Kombëtares, ku do të mungojë edhe Kumbulla po për shkak dëmtimi.

Ardian Ismajli, mbrojtësi i Kombëtares. Gazeta Si, 2 shtator 2020

Sipas njoftimit zyrtar të FSHF-së, Memolla dhe Ismajli erdhën të dëmtuar në grumbullim, kurse Ramadani është dëmtuar gjatë stërvitjes. Këta lojtarë mund të jenë të gatshëm për trajnerin Edi Reja në ndeshjen e dytë në grup, atë ndaj Lituanisë, që luhet në “Air Albania Stadium” më 7 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë