Kombetarja

Reja: Ekipi dha gjithçka, u ndëshkuam vetëm në një moment delikat

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ka pohuar pas humbjes me Poloninë se skuadra u ndëshkua në të vetmin moment që bëri disa gabime në humbjen e topit. Sipas tij, loja ishte gati e barabartë dhe Shqipëria meritonte një pikë.

“Të vjen keq, bëmë një ndeshje të mirë dhe të them të drejtën nuk e pritja këtë temperament të ekipit. Treguam se mund të luanim si të barabartë ndaj Polonisë. Patëm vetëm një rënie në pjesën e dytë dhe po bëja gati ndërrimet, por u ndëshkuam. Bëmë disa gabime që një skuadër me përvojë nuk mund t’i bëjë. Barazimin mund ta merrnim, mjaftonte të ishim pak më të vëmendshëm.

Nga ndeshja Shqiperi-Poloni, 0-1. Gazeta Si, 12 tetor 2021

Mungesat? Nuk dua të flas për to, kisha 16 lojtarë gati. Mendoj se lojtarët dhanë gjithçka. Polonia ishte e fortë fizikisht dhe nuk la hapësira në mbrojtje. Ishim duke bërë zëvendësimet, pasi edhe Bare u dëmtua, pësuam atë gol dhe më pas gjithçka u bë më e vështirë. Në pjesën e parë u ndëshkuam me të verdhë që në faullin e parë me Hysajn. Me gjyqtarët, sidomos me Poloninë, kemi vuajtur, por sot nuk ishin vendimtarë”, - u shpreh Reja.

Trajneri i kuqezinjve shpreson ende për vendin e dytë: “Nuk ka marrë fund, jemi aty dhe është e drejtë të shpresojmë”, - tha Reja, i cili ka dashur të komplimentojë edhe tifozët, sigurisht jo ata që hodhën shishet në fushë: “Komplimente tifozëve, sepse një ambient të tillë është e vështirë ta gjesh dhe lojtarët dhanë maksimumin falë ngrohtësisë së tifozëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë