Kombetarja

Reja e quan mëkat: Nuk e meritonim këtë humbje!

Trajneri i kuqezinjve, Edi Reja, ishte shumë i ngrysur pas ndeshjes. Skuadra që drejton ishte aq pranë barazimit apo fitores dhe në fund doli e mundur nga transferta turke. Italiani e quan mëkat këtë humbje, ndërkohë që mbron të tijtë, duke thënë se Shqipëria bëri gati ndeshje perfekte.

“Nuk jam i zhgënjyer me lojën që kemi zhvilluar në këtë ndeshje. Mendoj se luajtëm gati në mënyrë perfekte, patëm disa mundësi shënimi dhe nuk i shfrytëzuam, duke e lënë ndeshjen të hapur. Është vërtet një mëkat të humbësh në këtë mënyrë, në minutën e fundit. Nuk e kemi merituar këtë rezultat. Kemi humbur një rast shumë të mire për të marrë 3 pikët dhe për të tentuar më pas Europianin. E di shumë mirë që të gjithë, lojtarët e tifozët, janë të mërzitur nga kjo humbje, por duhet të shohim përpara. Nuk mund të them asgjë negative për këtë ndeshje. Ekipi kishte grintën e duhur, gaboi në disa pasime, por duhet të dimë që Turqia bëri presing. Ajo që na duhet është të jemi më të vëmendshëm dhe më të kujdesshëm para portës. Në këtë ndeshje u pa që kemi mangësi në sulm.

Nga ndeshja Turqi-Shqipëri, 1-0. Cikalleshi në aksion. Gazeta Si, 12 tetor 2019

Sigurisht që u mërzita në fund të ndeshjes, por nuk e kisha me askënd, e kisha me fatin e keq. Të gjithë lojtarët luajtën mirë, siç unë desha. Edhe Veseli, që luajti në rolin e Hysajt, bëri një paraqitje shumë të mirë. Ishte një ndeshje që besoj se konfirmoi rritjen e Shqipërisë dhe, nëse vazhdojmë të luajmë në këtë mënyrë, i hapim punë çdo kundërshtari. Ishte kënaaësi ta shihje skuadrën të luftonte ashtu ndaj Turqisë. Në vazhdim mund të bëjmë diçka të mirë. Deshëm të fitonim, ndaj lamë hapësirë në mbrojtje. Barazimin e kishim në dorë, por tentuam gjithçka në minutat e fundit’, ka thënë mes të tjerash trajneri Reja.

Edhe futbollistët e Kombëtares kanë folur me dëshpërim të thellë pas humbjes në Turqi. Pjesa më e madhe ia kanë faturuar humbjen fatit të keq. Më i zhgënjyeri nga të gjitha ishte Strakosha, fajtor në rastin e golit të pësuar. “Nuk arrita ta ndihmoj skuadrën në një moment, kur i duhesha më shumë se kurrë. Gabova dhe ndihem shumë keq”, - u shpreh portieri i kuqezinjve


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë