Kombetarja

Reja bën bilancin: Në 2020-ën sfiduam vështirësitë, kompetitivë në eliminatore

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, në një intervistë për faqen e FSHF-së, ka bërë bilancin e vitit që po lëmë pas. Trajneri italian llogarit një bilanc pozitiv, ku janë kaluar vështirësi të mëdha të krijuara nga Covid-19. Reja ka bindjen se Shqipëria do të jetë kompetitive në eliminatoret e Botërorit 2022.

“Bilanci për vitin 2020 në përgjithësi ka qenë pozitiv. Duhet të kemi parasysh vështirësitë e mëdha për shkak të Covid-19. Këto vështirësi na ka kushtëzuar shumë, mbi të gjitha para transfertave me Kazakistanit dhe Lituaninë. Shumë lojtarë nuk luanin me klubet, dikush ishte i infektuar me Koronavirus, dikush kishte probleme të tjera. Na është dashur të aktivizonim disa lojtarë, të cilët nuk kishin luajtur më parë me Kombëtaren, por në ndeshjet me Kazakistan dhe Lituani ata kanë bërë paraqitje mjaft të mira”, - thotë Reja.

Edi Reja, trajneri i Kombëtares. Gazeta Si, 30 dhjetor 2020

Pastaj trajneri i kuqezinjve ndalet te tri fitoret e fundit: “Fituam miqësoren me Kosovën, që ishte e rëndësishme para ndeshjeve me Bjellorusinë dhe Kazakistanin në shtëpi. Tri fitore radhazi na dhanë siguri, besim dhe entuziazëm. Ia dolëm të realizonim objektivin final. U renditëm të parët në grup dhe jemi shumë të kënaqur. Mendoj se duhej ta kishim fituar një nga transfertat ku barazuam, do të kishim më shumë mundësi të shkonim në “Play-off”-in e Botërorit, por gjithsesi duhet të jemi të kënaqur”.

Momenti më i vështirë për trajnerin Reja ishte humbja me Lituaninë në Tiranë, kurse më i bukuri fitorja me Bjellorusinë në “Air Albania”. “E gjithë puna e bërë dukej sikur ishte zhdukur papritur. Ishte një moment, ku prekëm fundin, zhgënjimi ishte i madh, patëm probleme të mëdha dhe ishte çasti më i vështirë në aventurën time me Shqipërinë. Momenti më i bukur? Fitorja ndaj Bjellorusisë në shtëpi, ishte diçka e bukur dhe e rëndësishme. Kur dilja në rrugët e Tiranës një ditë më pas, njerëzit më falënderonin. Është e bukur të përjetosh këtë vlerësim të tifozëve shqiptarë”, - shprehet Reja.

Kombëtarja në stërvitje. Gazeta Si, 30 dhjetor 2020

Në fund Reja është ndalur tek e ardhmja: “Ëndrrat janë gjithmonë të bukura, ato bëhen realitet kur ke besim. Do të nisim së shpejti eliminatoret e Botërorit 2022, nuk patëm shumë fat në short, sepse kemi në grup Poloninë, skuadër shumë e fortë, Hungarinë, një nga kombëtaret më në formë të kohëve të fundit, është përmirësuar shumë. Dëshira jonë është të jemi kompetitivë deri në fund. Luajmë ndaj Anglisë dhe dy skuadrave të tjera me peshë, por kështu do të verifikojmë forcën tonë dhe ky është një aspekt thelbësor.

Duam të rritemi duhet të matemi me këto realitete që kemi përballë. E rëndësishme është që lojtarët të luajnë me klubet e tyre dhe në mars të jenë në formë të mire. Lëmë pas një vit, mbase më të vështirin të jetës sonë, sepse jemi duke jetuar një situatë anormale. Shpresoj të rikthehemi në normalitet të plotë. Tashmë ka nisur procesi i vaksinimit dhe ky është një aspekt thelbësor. Do të duhet pak kohë dhe duhet të jemi të kujdesshëm.

Urimi im shkon për të gjithë miqtë e mi shqiptarë, për të gjithë punonjësit e FSHF-së. Të gjithë tifozëve shqiptarë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit, dua t’u uroj të kenë një vit sa më normal. Nuk duhet të kërkojmë gjëra të mëdha, por të kemi një vit normal, ndryshe nga ky po lëmë pas”.

https://youtu.be/f_FsIod2Ks8
Intervista e trajnerit Reja për FSHF-në. Gazeta Si, 30 dhjetor 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë