Futboll

Refuzoi kombëtaren, talenti shqiptar në radarët e Ajaksit

Mario Vrushaj është një emër i njohur për opinion futbollistik në Shqipëri. Talenti shqiptar që luan në kampionatin holandez të futbollit, pak kohë më parë u bë i njohur në vendin tonë, pasi u raportua se refuzoi të luante për kombëtaren kuqezi. Ai zgjodhi që të luante me Greqinë edhe pse ende nuk është grumbulluar në ekipin e parë, por aktivizohet me Greqinë U-21.

Verën e shkuar Vrushaj kaloi nga kampionati grek në Holandë me Vilhelmin, ku ka bërë shumë mirë. Edhe pse në vitin e parë në Eredivize, Vrushaj ka mundur të tejkalojë vështirësitë dhe të sigurojë një vend titullari në shumë ndeshje. Këto paraqitje të tij dhe forma e mirë në shumë ndeshje nuk kanë kaluar jashtë vëmendjes. Sipas medieve në Holandë, Vrushaj është futur në radarët e agjentëve të Ajaksit. Gjigandët e futbollit holandez që këtë sezon kanë shkuar deri në gjysmëfinalet e Champions League, po e ndjekin prej kohësh rendimentin e Vrushajt dhe nuk do të ishte habi një kalim i tij në ekipin e “harkëtarëve”. Vlera e tij llogaritet diku te 1.5 milionë euro, por që nuk përbëjnë problem për arkat e Ajaksit që këtë sezon janë të tejmbushura nga shitjet e shumta që pritet të konkretizohen në verë.

Mario Vrushaj me origjinë nga qyteti i Beratit ka lindur në qytetin e Nafpaktiakos në Greqi, ku ka filluar dhe karrierën e tij si futbollist. Vetëm 19 vjeç, Vrushaj bëri debutimin e tij me ekipin më të madh ne Greqi, Olimpiakos vetëm 17 vjeç. Pas perfromancave të shkëlqyera në Superligën greke bëri hapin e madh për të Vilhelmin, që duket se do të jetë vetëm një trampolinë për karrierën e tij që pritet të jetë shumë premtuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë