Drejtësia

Refuzohet ekstradimi në Shqipëri, lirohet nga burgu këngëtarja Fjolla Morina

Autoritetet gjyqësore në Kosovë kanë refuzuar ekstradimin në Shqipëri të këngëtares së njohur Fjolla Morina, e cila është liruar nga paraburgimi pavarësisht nga akuza për armëmbajtje pa leje.

Sipas mediave kosovare, ekstradimi i këngëtares nga Kosova është futur në procedurë burokratike, pasi autoritet e Prishtinës kërkojnë informacion në Prokurorinë e Kukësit për dosjen e saj në Shqipëri.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Prishtinës mësohet se ka kërkuar informacion nëse vendimi i dënimit të Fjolla Morinës, ka marrë formë të prerë apo jo.

Drejtësia kosovare pretendon se nuk mund të ekstradojë Fjolla Morinën, për sa kohë këngëtarja nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Çështja e saj, e cila u dënua nga Gjykata e Kukësit në muajin mars 2021 me gjashtë vite burg për akuzën e “Trafikut të armëve dhe Municioneve”, ndodhet në pritje për t'u gjykuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

Duke shfrytëzuar këtë masë sigurimi me burg, për akuzën e “Trafikut të armëve dhe municioneve” dhe “Largimit nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata”, Prokuroria e Kukësit ka këmbëngulur në ekstradimin e Morinës në Shqipëri.

Këngëtarja u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.

Arrestimi i parë i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë, ku 35-vjeçares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.

Pas arrestimit në Morinë ajo doli nga qelia, pasi Gjykata e Kukësit vendosi për të masën “arrest shtëpie”.

Mirëpo, pas disa javësh këngëtarja u arratis. Ajo u dënua në mungesë më 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3, prej gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua përfundimisht në 6 vjet heqje lirie

Në 17 korrik të këtij viti, Morina arrestohet në Prishtinë dhe këtë të mërkurë gjykata ka vendosur lirimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë