Politike

Zgjedhorja në darën e ndërkombëtarëve, 13 etapat për Kodin e ri

Këshilli politik i formuar me përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare, drejtuesve të komisionit të reformës zgjedhore dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare u mblodh sot në zyrat e Bashkimit Europian. Takimi u zhvillua në mjediset e Europa House. Formatit të parë të Këshillit Politik, Damian Gjiknurit, Rudina Hajdarit, Petrit Vasili dhe Oerd Bylykbashit i janë bashkuar edhe grupi i ekspertëve të komisionit të posaçëm parlamentar, Viktor Gumi dhe Ilir Rusmali, si dhe ekspertët e tjerë si Ivi Kaso, Arjan Madhi dhe të Muharrem Cakës si dhe ekspertë të PDIU-së dhe të PS-së. Palët kanë rënë dakord dhe kanë miratuar një kalendar të posaçëm duke përcaktuar 13 etapat sipas datave për paraqitjen e ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, por që sipas gjasave nuk do të prekin vetëm Kodin Zgjedhor, por edhe ligje të tjera.

Mbledhja e sotme e Këshillit

Palët kanë rënë dakord për të paraqitur edhe propozime për ndryshimet e sistemit zgjedhore dhe kjo do të realizohet brenda datës 15 mars. Brenda datës 10 shkurt si hap të parë është propozuar që të paraqiten nisma konkrete për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, përfshirë masa për rolin e policisë, prokurorisë dhe gjykatave në procesin zgjedhor kundër shitblerjes së votës, presionit mbi zgjedhësit dhe administratën, cenimit të sekretit dhe lirisë së votës dhe abuzimi me burimet shtetërore. Në pikën e dytë të kësaj agjende që përmban të njëjtën datë, 10 shkurtin, duhet të paraqiten propozimet për atë që shihet kushti i opozitës, pra ndarja e politikës nga krimi, nëpërmjet forcimit e zbatimit te procesit të dekriminalizimit me masa shtese. Votimi apo numërimi elektronik, hartimi i listave të zgjedhësve, pajisja me kartën ID dhe shmangia e votimit fiktiv të emigrantëve janë pjesë punës së grupit të ekspertëve. Barazia gjinore dhe vota e emigrantëve jashtë do të jenë pjesë e diskutimeve dhe paraqitjes së drafteve. Sakaq vëmendje do t’i kushtetohet administratës zgjedhore, paanshmërisë dhe propozime për parandalimin e abuzimit me burimet shtetërore dhe administratën publike në periudhën zgjedhore apo dhe propozime për sistemin e ankimimeve gjyqësore dhe administrative.

Mbledhja e Këshillit me Ekspertët


Hajdari: Mund të preket edhe Kushtetuta. Gjiknuri: PD të sjellë propozimet
Damian Gjiknuri pas këtij takimi e ka cilësuar si ambicioz afatin 15 mars për të realizuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke shtuar se mazhoranca ia ka bërë të qartë opozitës dhe kjo u diskutua edhe në grupin e punës, që për këto çështje që ata i mendojnë shumë specifike le të vijnë me propozimet e tyre. “Pra, nëse opozita ka pretendime për forcimin legjislacionit penal, ka çështje të tjera të aspektit organizativ apo propozon skema që mund të jenë më efikase në parandalimin e shkeljeve zgjedhore, le të vijnë me propozime konkrete. Ne do ti shqyrtojmë dhe patjetër nëse janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it do të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor. Pra, këtu kemi një dakordësi” tha Gjiknuri. Sipas tij puna do të disa me ato që i cilësoi si më të lehtat për të arritur në konsensus mes palëve. Të gjitha propozimet do të kalojnë filtrin si drafte teknike, pjesë-pjesë për opinion paraprak te ODIHR.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/179736649900611/


Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi nga ana e tij ka theksuar se me metodologjinë e re të punës së miratuar i hapet rruga për reformën zgjedhore. Për demokratin të vlefshme janë edhe ato dokumente të miratuar nga komisionin e reformës zgjedhore, në kohën që PD-ja nuk kishte bojkotuar Parlamentin dhe ishte pjesë e diskutimeve. “Ajo që ka rëndësi të thuhet është se dokumenti i sotëm përfshin të gjitha çështjet që kemi ngritur politikisht në Këshillin Politik, ku do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor. Të gjitha masa që kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në procesin që po nisim që nga sot”, deklaroi Bylykbashi. Ndërsa bashkëkryetarja e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, Rudina Hajdari theksoi se i gjithë ky proces po kryhet nën monitorimin e rreptë të faktorit ndërkombëtarë, si Bashkimi Europian, OSBE-së dhe nga ambasadori i Britanisë së Madhe. Kjo, sipas saj, tregon seriozitetin e angazhimit të faktorit ndërkombëtar që ka ndërmjetësuar mbi të gjitha uljen në një tryezë të PS-së dhe PD-së.
“Nëse e nevojshme do të ketë edhe ndryshime ë Kushtetutë, kjo do të thotë ne do të kemi një ndryshim të sistemit në çdo hallkë të saj, ska ndryshime për makijazh, kjo reformë zgjedhore do të merret e çohet deri në fund. Shpresoj të kemi konsensus për pikat e nxehta”, theksoi Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë