Kombetarja

Stoli u humb reflekset, Strakosha e Kumbulla në vështirësi

Gafa e pabesueshme e Tomas Strakoshës në ndeshjen me Gallatasarajin i kushtoi humbjen Lacios dhe shtypi sportiv e kryqëzoi portierin kuqezi. Disa kanë dashur ta mbështesin, që nga kolegu i tij Muslera, duke e konsideruar atë episod si diçka që ndodh në futboll, veçanërisht për portierët.

Kështu është në fakt, ndodh, por në rastin e Strakoshës ka diçka më shumë. Nuk ishte thjesht një moment i shkëputur. Kuptohet qartë se qëndrimi për një kohë të gjatë në stol ka ndikuar direkt në reflekset e portierit të Kombëtares. Sepse është tjetër gjë stërvitja dhe tjetër gjë ndeshja, ku dinamika është shumë më e lartë. Strakosha ka treguar se është një nga portierët më të mirë të Serisë A, por mosaktivizimi e ka penalizuar shumë për formën sportive.

Strakosha pas gafës në Turqi. Gazeta Si, 17 shtator 2021

Që në momentin që Reina, - i ardhur te Lacio për ta ndihmuar me përvojën e tij, - i mori vendin e titullarit, portieri kuqezi nuk ka mundur ta gjejë veten. Madje, trajneri Sarri vetëm në fund vendosi që ai të luante nga minuta e parë në Ligën e Europës, pasi nuk ishte i bindur. Përveç reflekseve të lojës, Strakosha duket se ka humbur edhe besimin në vetvete dhe tani i duhet forcë për të kaluar momentin delikat.

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ia dha mundësinë të hiqte “ndryshkun” nga dorezat, duke e aktivizuar ndaj San Marinos, pasi në dy ndeshjet e tjera zgjodhi Berishën. Kjo do të thotë se edhe ai nuk është bindur nga forma aktuale e portierit të Lacios. Por ndaj San Marinos Strakosha as që pati mundësi ta vinte veten në provë.

Po ashtu, Reja i besoi fanellën e titullarit edhe Marash Kumbullës në të tria ndeshjet e shtatorit. Edhe mbrojtësi nuk po luan titullar me Romën dhe kjo u reflektua sidomos në ndeshjen e parë me Poloninë, ku Kumbulla hasi vështirësi dhe u kritikua, sidomos nga ish-kapiteni Rudi Vata. Edhe në rastin e tij peshon fakti që nuk po luan rregullisht dhe nuk është në nivelin më të mirë. Mourinjo e aktivizoi vetëm 15 minuta në Ligën e Konferencës.

Kumbulla me fanellën e Romës. Gazeta Si, 17 shtator 2021

Është për të ardhur keq, sepse janë dy nga lojtarët më të mirë të Kombëtares, që luajnë me klube të rëndësishme në Itali. Momenti që po kalojnë është vërtet i vështirë dhe u duhet ta përballojnë për të treguar se janë vërtet lojtarë të mëdhenj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë