Politike

‘Referendumi me zarfa’ nuk e tejkaloi votën e PS, a mund të quhet i suksesshëm?

Kur prezantoi nismën e Këshillimit Kombëtar në prag të Krishtlindjes vitin e kaluar, Kryeministri Edi Rama tha se ideja ishte marrja e mendimit të qytetarëve, përtej shumicës që e kishte votëbesuar për një mandat të tretë më 25 prill.

Ai u kujdes që të saktësonte në atë konferencë për shtyp se këshillimi do të ishte një formë referendumi, por se nuk bëhej fjalë për një referendum klasik.

Megjithatë, pa u ndalur te përgjigjet që u kanë dhënë qytetarëve 12 pyetjeve të para të Këshillimit Kombëtar, pjesëmarrja vë në dyshim suksesin e nismës.

Sipas shifrave të publikuara nga Kryeministri, në këtë proces janë përfshirë rreth 560 mijë qytetarë, ndërsa Partia Socialiste një vit më parë mori mbi 200 mijë vota më shumë, ose rreth 770 mijë.

Fushata e Këshillimit Kombëtar u shtri në tre drejtime; online ku në çdo portal qeveritar shfaqej një tabelë me linkun që të adresonte në plotësimin anonim të formularit. Përmes portalit online, e kanë plotësuar formularin rreth 127 mijë qytetarë, përmes postës ku u shpenzuan rreth 300 mln lek për dërgimin e formularëve derë më derë rreth 340 mijë të tjerë dhe përmes tendave të ngritura në të gjitha bashkitë, rreth 96 mijë qytetarë.

Por, megjithë këtë angazhim financiar e në burime njerëzore, numri i atyre që u bënë pjesë e Këshillimit Kombëtar është më i vogël se votat që Partia Socialiste siguroi në zgjedhjet e 25 prillit, që të çon në përshtypjen se ky proces nuk doli përtej ‘llogoreve të politikës’ së ditës…të paktën jo në pjesëmarrje, sepse në përmbajtje ndoshta duhen pritur rezultatet e përgjigjeve të dhëna.

12 pyetjet e Këshillimit Kombëtar nisnin nga legalizimi i kanabasit për qëllime mjekësore, a duhet bërë me detyrim paraqitja e certifikatës së vaksinimit e deri tek Ballkani i Hapur nëse është i dobishëm për Shqipërinë, apo jo.

Ky ishte këshillimi i parë, në një proces që Rama ka deklaruar se do ta shndërrojë të përvitshëm…dhe ndoshta të tjerët do të jenë më të suksesshëm në pjesëmarrje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë