Editorial

12 pyetje për 12 pyetjet e zotit Rama

12 pyetjet që zoti Rama do t’ju drejtojë publikisht shqiptarëve për të marrë mendim tingëllojnë si një lloj referendumi, por që nuk kanë pas vetes asnjë garanci ligjore se do të kthehen në vendime qeverisjeje.

Nga ana tjetër, ekzaktësisht për këto 12 pyetje  publiku ka pak ose aspak informacion. Dhe përgjigjet që mund të vijnë prej tyre, me gjasë do të jenë emocionale dhe në tym.

Megjithëse mund të ndodhë që zoti Rama personalisht si kryeministër t’i shprehë në vendime të qeverisë së tij të gjitha përgjigjet. Nëse ato nuk rezultojnë të duhurat, barra nuk duhet t’i mbetet publikut, por vetë kryeministrit. Ato nuk duhet të jenë një alibi nëse gjërat do të shkojnë jo mirë.

Henry Ford, themeluesi i një ndër kompanive pionere dhe më të mëdhatë në botë të makinave Ford ka thënë se “Sikur t’i kisha pyetur njerëzit se çfarë dëshironin, ata do të kishin thënë kuaj më të shpejtë (pra jo makina).

Ndaj popujt zgjedhin liderët sepse kërkojnë të qeverisen nga idetë, guximi dhe vizioni dhe jo pragmatizmi i realitetit. Përndryshe vendimet tribu do të ishin ende në fuqi.

Gjithsesi duke vlerësuar këtë formë si një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen e publikut në demokraci, Gazeta “Si” e vlerëson se kërkon dhe një përgjigje. Por, ashtu si çdo shqiptar i mençur dhe i matur, ne kërkojmë në fillim të dimë më shumë. Ndaj pyetjeve të kryeministrit, po u përgjigjemi me disa pyetje që  urojmë të jenë në ndihmë të publikut dhe kthjelltësisë së mendimit.

Pyetja 1 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti. Të tjerë thonë se shteti nuk duhet të bëjë diferencime as në këtë rast. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Pse çfarë e kërcënon më  shumë një nënë me tre fëmijë kundrejt një tjetre me dy ose më pak?

Shpjegim: A kemi të dhëna dhe a e di publiku, se cilat janë shqetësimet më të mëdha të një familjeje me tre fëmijë: financat, papunësia, pamundësia fizike dhe e kohës së nënës për të rritur fëmijët, dhuna në familje, stresi psikologjik dhe nëse po, këto arsye kush i shkakton?

Pyetja 2 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të ashpërsojë dënimin e autorëve përsëritës në kryerjen e krimeve të rënda kundër personit, duke e dyfishuar dënimin për ta dhe duke hequr të drejtën e gjykimit të shkurtuar për autorët që kryejnë dhunë në familje dhe krime ndaj fëmijëve. Të tjerë thonë se dënimet në fuqi janë të mjaftueshme për përsëritësit dhe dhunuesit ndaj familjes e fëmijëve. Cili është mendimi juaj?

Pyetja e Gazetës “Si” - Askush nuk lind kriminel. Pse vetëm dënimet e ulëta çojnë në përsëritje të dhunës në familje apo ka një arsye tjetër social–ekonomike?

Pyetja 3 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se të punësuarit, që denoncojnë metoda të pagave fiktive nga punëdhënësi, duhet të mbrohen nga shteti me dëmshpërblim financiar në rast largimi të padrejtë nga puna kur denoncimi i tyre vërtetohet, ndërsa punëdhënësi në fjalë duhet penalizuar me ashpërsim të masave në fuqi. Të tjerë thonë që masat në fuqi ndaj punëdhënësve që abuzojnë me pagat e punonjësve janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Cilat janë masat në fuqi ndaj punëdhënësve që abuzojnë dhe pse nuk kemi asnjë rast ndëshkimi?

Pyetja 4 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se ata që kanë fituar statusin e pensionistit, por që vazhdojnë ende të punojnë, nuk duhet të paguajnë kontributet shoqërore. Të tjerë mendojnë që nuk duhet bërë një diferencim i tillë. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Sa pensionistë të tillë që ende punojnë ka sa të shqetësohemi nga evazioni i tyre i pretenduar?

Pyetja 5 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë thonë se depozitimet në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhen inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - A ka mundësi shteti të dallojë paratë e një emigranti me punë të ndershme nga të një tjetri të përfshirë në punë kriminale apo që ka punuar në të zezë?

Pyetja 6 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Industria legale e kanabisit a do të zvogëlojë atë ilegale dhe a rrezikon t’i rritë çmimet duke sjellë kështu të ardhura më shumë për krimin?

Pyetja 7 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se ashtu si vendet e tjera të Europës, Shqipëria duhet të vendosë detyrimin që qytetarët të paraqesin certifikatën e vaksinimit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura dhe në tubimet e mëdha. Të tjerë thonë se kjo praktikë nuk duhet të jetë e detyrueshme pasi kufizon liritë dhe të drejtat e njeriut. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Cilat janë numrat e dozave që një njeri quhet i vaksinuar dhe ka një pasaportë të vlefshme vaksinimi dhe për sa kohë është e vlefshme kjo pasaportë. A ka një vendim të qartë shkencor dhe të pranuar me shumicë nga institucionet përgjegjëse të shëndetit publik?

Pyetja 8 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh. Të tjerë thonë se rregullat në fuqi janë të mjaftueshme nëse zbatohen si duhet. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Nga e dimë, a ka fakte, që  evazioni fiskal më i madh vjen nga bizneset e mëdha. Në një rast flagrant ishin lavazhistët ata që ishin përfshirë në skema të vjedhjes së TVSH-së.

Pyetja 9 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të tregohet më e ashpër jo vetëm me subjektet, po edhe me individët që ndotin hapësirën publike. Të tjerë thonë se rregullat aktuale janë të mjaftueshme. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - A ndeshkohen kompanite qe ndosin mjedisin qe te ndeshkohen dhe qytetaret? Cilat jane masat e ndeshkimeve gjate vitit te fundit dhe sa subjekte jane ndeshkuar? A ka dhënë ndonjë herë efekt ndëshkimi i subjekteve te përmirësimi i mjedisit?

Pyetja 10 e Kryeministrit - Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vettingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Cili eshte ngerci qe krijohet ne sistem nese pezullohet e gjithe trupa gjyqesore qe nuk ka kaluar vettingun? Kush apo cili e vendos që  një vendim është i padrejtë?

Pyetja 11 e Kryeministrit - Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. Ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për anëtarësim në BE, duhet të ndahet nga ai i Maqedonisë së Veriut, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e veta. Të tjerë thonë që duhet të vazhdojmë të presim Maqedoninë e Veriut. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - Çfarë argumentesh japin individët dhe sipas tyre cilat janë përftimet nëse Shqipëria prek edhe Maqedoninë në procesin e integrimit?

Pyetja 12 e Kryeministrit - Ka njerëz që besojnë se krijimi i nismës “Ballkani i Hapur” midis Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor është në interes të Shqipërisë. Të tjerë thonë se kjo nismë nuk i sjell përfitime Shqipërisë. Si mendoni ju?

Pyetja e Gazetës “Si” - A ka vlerësim të detajuar dhe me numra se sa do të jetë përftimi i Shqipërisë - Pra a ka një vlerësim ekonomik dhe financiar të leverdishmërisë?

Nëse qeveria do t’i informojë shqiptaret rreth këtyre çështjeve, atëherë të jetë e sigurt se dhe përgjigjet do të jenë më racionale dhe të mençura. Në të kundërt një përgjigje në tym është me keq se një pyetje pa përgjigje dhe ca më keq nëse ato përcaktojnë një trajektore qeverisjeje, e cila në vend të makinave të shpejta do të na propozojë kuaj të shpejtë. Paçka se  trenin e historisë e kemi humbur disa herë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë