Ushqim

Receta të thjeshta për një darkë të shijshme natën e Vitit të Ri

Gazeta Si- Ndoshta shqetësimi më i madh i këtyre ditëve për amvisat ka qenë shtrimi i tavolinës për fundvit. Të gjithë dëshirojnë të bëjnë diçka ndryshe, një pjatë më të veçantë, një recetë që të mbahet mend, një shije tjetër…

Shef Ernest Dedja i cili prej vitesh tashmë ka punuar në disa restorante në Rimini, Itali, ka treguar për Gazetasi.al disa receta për fundvit, që janë të thjeshta për t’u gatuar, kushtojnë pak por shijojnë shumë.

Në fillim është tradicionalja, “Përshesh me pulë deti”.

Përgatitja e përsheshit me pulë

Si fillim vendosim pulën të ziejë në një tenxhere me ujë dhe kripë. Kur mishi i pulës të jetë gati, lëngun e saj e ruajmë mënjanë pasi do përdoret për përgatitjen e përsheshit.

Ndërkohë nisim përgatitjen e kulaçit, për të cilin do të duhet 1 kg miell, 1 lugë çaji sodë buke, dy vezë, kripë dhe ujë i vakët.

Nisim përgatitjen e brumit duke hedhur miellin në një tepsi duke bërë një gropë në mes ku do hedhim kripë, sodë dhe vezë.

Brumin e punojmë me dorë deri në momentin që masa do të bëhet komplekse por jo shumë e ngurtë.

Lyejmë një tepsi me pak vaj dhe shtojmë brumin.

Brumin e fusim në furrë dhe e pjekim derisa në sipërfaqe të ketë një ngjyrë të artë në të kuqërremtë.

Pasi të jetë gati, e nxjerrim nga furra dhe e vendosim mbi një pjatë dhe e lëmë që të kullojë.

Përgatitja e përsheshit

Për përgatitjen e përsheshit baza është kulaçi i thërrmuar dhe lëngu i pulës.

Gjithashtu duhen 4-5 qepë të njoma, gjalpë ose vaj ulliri, kripë dhe nenexhik.

Në një tenxhere shtojmë vajin e ullirit dhe pak gjalp, shtojmë qepët e njoma të grira hollë. I kavërdisim derisa volumi i tyre të bjerë.

Kulaçin e thyer në copa të vogla e shtojmë në tiganin ku kemi qepët dhe e kavërdisim pak.

Më pas hidhni ngadalë lëngun e pulës derisa të mbulohet sipërfaqja e kulaçit. Shtoni nenexhikun ose erëza të tjera sipas dëshirës dhe kripë.

Fikeni sobën dhe përsheshin mbulojeni me kapak derisa të mos ketë më lëng në tigan.

Përsheshi duhet të serviret i ngrohtë.

Një recetë tjetër më e veçantë por që shkon fare mirë me atmosferën e festave është dhe “Qofte shtëpie me patate”.

Është një recetë me përbërës që kushdo i ka në shtëpi dhe mund të pregatiten shumë lehtë.

Përbërësit:

1 kg patate

2 filxhanë të vegjël me miell

4 kokrra vezë

50g gjalp

Dy lugë gjelle djathë kaçkaval i grirë ose djathë i bardhë

Piper

Majdanoz

Dy filxhanë me bukë të thekur të grirë

Vaj ulliri

Përgatitja:

Qërojmë patatet dhe i hedhim në një tenxhere me ujë të ngrohtë me kripë.

Pasi i zjejmë, i kalojmë në mikser për t’i bërë pure.

Purenë e hedhim në një tas, shtojmë djathin kaçkavall ose të bardhin, miellin, dy nga vezët në recetë, gjalpin, piperin, majdanozin.

I përzjejmë të gjitha bashkë, derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.

Pasi të bëhet në formën e  brumit, e ndajmë në copa të vogla rrumbullake.

Më pas i kalojmë në miell dhe në vezët e mbetura që i kemi rrahur me pak ujë. Më pas tek buka e grirë dhe i skuqim.

Kjo recetë mund të jetë pjesë e antipastës dhe fare mirë mund të shërbehet me sallatë lakër të kuqe dhe portokall.

Për të bërë sallatën duhet gjysëm lakër e kuqe, karrotë, portokall, vaj ulliri, kripë, uthull, gjysëm kokërr limoni.

Përgatitja:

Në një tas shtojmë dy lugë vaj ulliri, lëngun e limonit, pak uthull balsamike.

Pasi masa të bëhet e njëtrajtshme, lëreni mënjanë dhe filloni me  përgatitjen e sallatës.

Pastroni lakrën e kuqe dhe grijeni hollë.

Shtojeni lakrën e grirë në një tas.

Më pas grini karrotën dhe shtojeni tek  lakra e kuqe. Pasi ti keni përzier bashkë, shtoni edhe masën e krijuar me portokallin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë