22 vjetori i masakrës në Reçak e gjeti Kosovën me një qeveri në detyrë, por për familjarët e viktimave asgjë nuk ka ndryshuar.
Homazhet në fshatin që është kthyer në simbolin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve i udhëhoqi kësaj radhe një tjetër kryeministër, Avdullah Hoti, i cili ashtu si ish-kreu i qeverisë, Albin Kurti vitin e kaluar, premtoi drejtësi për vrasjen dhe masakrimin e 45 shqiptarëve të paarmatosur.
Duke folur nga kompleksi Memorial në Reçak, Hoti ka thënë se drejtësia ndonjëherë vonon, por Kosova nuk do të ndalet derisa të vendoset. “Në Kosovë kanë ndodhur plot maskara por fillimi i vitit është gjithmonë i dhimbshëm për plotë familje. Ky vend është i veçantë. Ngjarja që ka ndodhur këtu ka sensibilizuar mbarë botën për gjendjen, terrorin që ndodhte në Kosovë, me vite të tëra”, deklaroi kryeministri në detyrë. “Viktimat nuk do të prehen të qetë derisa ata që kanë kryer këtë masakër të marrin dënimin e merituar. Drejtësia nganjëherë vonon por jam i bindur se do të vendoset njëherë e përgjithmonë”, u shpreh më tej kryeministri në detyrë.
Ndërkohë për ushtruesen e postit të presidentes Vjosa Osmani masakra e para 22 vjetëve nuk ishte asgjë më tepër sesa vulosje e qëllimeve të Serbisë për shfarosjen e popullit shqiptar.
Duke folur krah për krah me Albin Kurtin, si simbol edhe i aleancës në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, Osmani tha se kjo ngjarje e trishtueshme alarmoi edhe bashkësinë ndërkombëtare. Masakra e Reçakut ndryshoi në fakt historinë e Kosovës ashtu siç e njohim sot, duke detyruar NATO-n të hynte për herë të parë në luftë. Pas publikimit të fotove të 40 trupave të burrave, grave dhe fëmijëve përpara xhamisë së fshatit, Europa u bind më në fund të ndërhynte. E udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleanca nisi fushatën ajrore kundër ish-Jugosllavisë për të detyruar Presidentin Millosheviç t’i jepte fund masakrave në Kosovë. Zyrtarët e aleancës veri-atlantike deklaruan në atë kohë se kjo ishte zgjidhja e vetme për të ndaluar spastrimin etnik dhe vrasjet masive ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ndërkohë, Kurti u shpreh se ai dhe Osmani kishin takuar edhe familjarët me pikëllim dhe me dhimbje, për të cilët tha se janë viktima për shkak të drejtësisë së mohuar dhe të vazhdueshme.
“Pas këtij akti gjenoci në Reçak edhe avionët e NATO-s bombarduan Jugosllavinë e Milosheviqit dhe një shtet që kishte projekt shfarosjen e shqiptarëve”, tha Kurti. “Jo vetëm urdhëruesit, por edhe ekzekutorët dihen me emra në shumë raste e jo vetëm në këtë masakër dhe është detyrë e vendit që t’i ndjekim dhe t’i gjykojmë ata. Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme derisa nuk ka drejtësi që sjell rehabilitim për viktimat dhe familjarët. Përkulemi për këtë humbje dhe lavdia është e tyre. Kujtimi i përjetshëm për ta”, deklaroi kreu i Vetëvendosjes.
Çfarë ndodhi në Reçak ?
Më 15 janar të vitit 1999, në fshat kishin mbetur shumë pak banorë që nuk ishin larguar. Si çdo mëngjes, ata u zgjuan herët nga krismat e armëve që ishin bërë të zakonshme në atë periudhë të luftës.
Por atë ditë, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë, pa e ditur se plumbat ndaj të pafajshmëve në këtë fshat të vogël do të ndryshonin njëherë e përgjithmonë historinë e Kosovës.
Sapo dëgjuan krismat në orët e hershme të mëngjesit, banorët u grumbulluan nëpër shtëpi dhe bodrume në përpjekje për të shpëtuar veten dhe familjarët e tyre. Por forcat ushtarake serbe u futën shtëpi më shtëpi, duke vrarë të mëdhenj e të vegjël dhe duke i braktisur trupat e tyre mes pellgjeve të gjakut.
Edhe pse Beogradi zyrtar u mundua ta mohonte masakrën, një ditë më vonë shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker u nis me urgjencë drejt fshatit, për të parë me sytë e tij nëse dëshmitë e tmerrshme që kishte dëgjuar ishin të vërteta. Ai mbeti i tmerruar.
Walker ishte zyrtari i parë ndërkombëtar që pa trupat e të vrarëve që kishin mbetur të braktisur në një luginë.
Në intervistat që dha ai do ta përshkruante mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999 si më të tmerrshmin e jetës së tij. Walker ishte vendosur në Kosovë rreth tre muaj para masakrës së Reçakut dhe deri atë mëngjes nuk i kish qëlluar të bëhej dëshmitar një skene të tillë.
Pasi Walker pa trupat e të vrarëve, mësohet se kërkoi menjëherë të fliste përpara mediave.
"Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale dhe atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme", deklaroi ai, duke i bërë thirrje autoriteve ndërkombëtare për ndërhyrje të menjëhershme. Por ushtria serbe nuk do të mjaftohej me kaq.
Pas largimit të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së nga Reçaku, banorët mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që të kryhej varrimi. Por forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave, duke shkaktuar nisjen e luftimeve mes të forcave ushtarake dhe policore si dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi gati dy ditë luftimesh, forcat policore e ushtarake serbe morën me forcë të gjithë trupat e të vrarëve dhe i dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, duke mohuar që të kishin vrarë e masakruar civilë. Në deklaratat e zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se të varët ishin pjesëtarë të UÇK-së që ishin vrarë në luftime.
Por fotot, lotët e familjareve dhe dëshmia e zyrtarëve të huaj kishin bërë xhiron e botës. Në Shqipëri indinjata dhe solidariteti ishte i jashtëzakonshëm. Në atë kohë të vështirë nuk gjeje shqiptar që nuk ishte i gatshëm të hapte dyert për shqiptarët e Kosovës.
Ndërkohë, ditë pas ditë, pamjet e masakrës së Reçakut tronditën botën. Për disa javë rresht, forcat serbe mbajtën trupat e të vrarëve në Prishtinë. Me kërkesën që trupat e të vrarëve t’u dorëzoheshin familjarëve, në Prishtinë u krijua delegacioni i Kosovës për bisedime me Serbinë me ndërmjetësimin ndërkombëtar. Bisedimet u organizuan në Rambuje të Francës
Kjo ishte konferenca e parë ndërkombëtare që mbahej ndonjëherë për Kosovën. Familjarët u lejuan që të shkonin për t’i marrë trupat e të vrarëve vetëm në shkurt dhe kthimi në fshat zgjati disa ditë. Pas gati një muaji, më 11 shkurt 1999 në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë, e cila mblodhi në këtë fshat të vogël shqiptarë nga mbarë Kosova.
Indinjata ishte e madh edhe në Europë, me Britaninë e Madhe që kërkonte ndërhyrje ushtarake. Por ajo që do ta merrte hapin e parë do të ishte SHBA-ja.
Presioni ndërkombëtar kishte arritur kulmin pas masakrës në fshatin Reçak. Ndër mbështetësit më të vendosur të një ndërhyrja ushtarake në ish-Jugosllavi ishte kryeministri britanik Tony Blair, i cili në maj të vitit 1997 kishte zëvendësuar paraardhësin e tij konservativ John Major dhe kishte nisur një kthesë në politikën britanike ndaj Ballkanit. Blair ishte i mendimit se politika e nënshtrimit ndaj Millosheviçit kishte dështuar dhe se nuk duhej lejuar përsëritja e një “Bosnje të dytë”.
Duke deklaruar se duhej të vepronte për t’i dhënë fund një krize humanitare, NATO vendosi të ndërhynte pa një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB. Serbët akuzuan aleancën se sulmet e saj lanë mijëra viktima, por u tërhoqën nga Kosova vetëm pas 87 ditë sulmesh të njëpasnjëshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.